Komunisti i fundit i Evropës Lindore ka mbetur Berisha ynë. Ekzemplar i rrallë, specie në zhdukje, por që refuzon të futet në muze. Madje kërkon të kthehet në pushtet, me nostalgjinë e dikujt që i mungon koha kur partia të rregullonte edhe pemën familjare.

Dikur, në kohën e shokut Enver, nuk mjaftonte të ishe i zoti në mësime. Duhej të kishe edhe biografi të pastër. Nëse gjyshi, babai, xhaxhai, tezja, halla apo kushëriri kishte ndonjë njollë, mund të të mbyllej dera e universitetit.

Unë, në atë kohë, kisha dëshirë të isha jetim. Të rritesha në shtëpinë e fëmijës, pa asnjë të afërm. Të mos kisha biografi fare. Vetëm nënën Parti! Se ajo të birësonte, të edukonte dhe, po të ishte nevoja, të të mohonte.

Mendova se kjo epokë kishte përfunduar. Por jo! Berisha e ka ringjallur zyrën e biografive. Rama, sipas tij, duhet të përgjigjet për të atin, “xhelatin”, artistin e talentuar. Madje i kujton edhe gjyshin, Spiro Kolekën, i cili kishte ndërruar jetë para se Rama të lindte.

Të tjerëve u nxjerr motrën, vëllain, kushëririn, madje edhe degët e largëta të pemës familjare. Po të mundej, do të kërkonte edhe certifikatën e trungut të ullirit në oborr.
Në këtë logjikë, nëse kushëriri kryen një krim, përgjegjës bëhet edhe ti, sidomos nëse ke bërë gabimin fatal të merresh me politikë dhe të mos pajtohesh me Berishën.
Kemi kaluar nga drejtësia penale te drejtësia gjenealogjike. Nuk gjykohet më individi, por fisi. Nuk kërkohen prova për fajin, por fotografi familjare. Një fjalë e urtë jona shkon fiks për këtë: çdo berr varët nga këmbët e veta.

Po sikur dikush t'i përmendte Berishës Ramën, të atin, Sheqeren, të ëmën, apo ndonjë të afërm tjetër? Çfarë do të bënte? Do të kërkonte përgjegjësi për veprimet e tyre? Apo do të shpallte menjëherë se biografia e tij është e pastër si çarçafi i sapolarë?

Se, në fund të fundit, çdo njeri përgjigjet për veten. Nuk mund të mbash mbi shpinë bëmat e vëllait, motrës, prindërve dhe aq më pak të gjyshërve. Përndryshe, do të na duhej një prokurori që, përpara se të hapte çështjen, të kërkonte pemën familjare deri në shekullin e XV.
Në botë ka ndodhur që djali i një kryeministri, vëllai i një presidenti apo një i afërm i një ministri të kryejë krime. Por askush nuk i arreston prindërit për të marrë një deklaratë politike. Bota merret me njeriun konkret, jo me fantazmat e biografisë.

Berisha, ndërkaq, duket se ka mbetur te formulari i vjetër: “Plotësoni të dhënat për babanë, gjyshin, xhaxhain dhe kushëririn e tretë. Nëse ndonjëri ka qenë armik, kandidati skualifikohet.”

Dhe kështu, komunisti ynë i fundit vazhdon të bëjë politikë me biografi, sikur Shqipëria të jetë ende në provimet e pranimit në universitetin e Enverit.
Vetëm një ndryshim ka ndodhur: dikur biografinë ta kontrollonte Partia. Sot, Berisha kërkon ta kontrollojë vetë.
Historia i ka mbyllur dosjet. Berisha vazhdon të kërkojë kartelat.