Bashkia e Tiranës përkujtoi 82-vjetorin e Çlirimit të kryeqytetit. Nga qelia e paraburgimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, dërgoi një kurorë me lule, e cila u vendos në monumentin “Partizani i panjohur”.
Në mungesë të rij, ceremoninë e udhëhoqi numri dy i Bashkisë së Tiranës, Sadi Vorpsi, me dy nënkryetaret gra Sara Goxhaj dhe Etleva Bisha.
“Ditët më historike të këtij qyteti në Tiranë agoi ditë e re. Vepra më sublime gjaku mijëra të rinjve. Rinia tiranase e dëgjoi thirrjen e atdheut që lëngote për liri e sdnjeroi të bashkohej me idealet kombëtare. Detyrë e jonë të nderojmë veprën e tyre”, tha Vorpsi.
Me Erjon Veliajn e shkarkuar në asamblenë e së shtunës nga drejtimi i socialistëve të Tiranës, në ceremoni morën pjesë dy bashkëkryetarët e rinj, ministri i Brendshëm Ervin Demo, dhe numri dy i qeverisë, Albana Koçiu.
“Ata na lanë një qytet të lirë. Ne kemi përgjegjësinë të kujdesemi për të”, u shpreh Demo, duke theksuar se institucionet duhet të jenë pranë qytetarëve, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe të ndjekin zgjidhjen e problemeve që ua vështirësojnë jetën.
Ministri vuri theksin edhe te siguria e fëmijëve dhe mbështetja e familjeve, ndërsa kërkoi që historia e Tiranës dhe sakrificat për çlirimin e saj t'u përcillen brezave të rinj.
“Historinë e Tiranës duhet t’ua përcjellim brezave të rinj. Me punën tonë, duhet t’u japim edhe më shumë arsye për ta dashur këtë qytet dhe për ta ndërtuar të ardhmen këtu. Ky do të ishte edhe nderimi më i madh ndaj atyre që dhanë jetën për çlirim”, deklaroi Demo.
Nderim dëshmorëve që luftuan për lirinë e kryeqytetit i bëri edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i rikonfirmuar si drejtues politik i qarkut, bashkë me Ogerta Manastirliun, drejtuese politike e Bashkisë së Tiranës.
Në ceremoni morën pjesë edhe ministra, prefekti i Tiranës përfaqësues të shoqatave të veteranëve, familjarë të dëshmorëve dhe të ftuar të tjerë.
82-vjetori i Çlirimit të Tiranës përkujton 17 Nëntorin 1944, ditën kur kryeqyteti shqiptar u çlirua nga pushtimi gjerman, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kjo datë shënon përfundimin e luftimeve për çlirimin e Tiranës, pas disa ditësh përleshjesh të ashpra mes forcave partizane shqiptare dhe trupave gjermane që po tërhiqeshin nga Shqipëria.










Komente
Komento