TIRANE- Një ditë nga mbajtja e referendumit në Krime të Ukrainës për bashkim e saj me Rusinë, Ministria e Jashtme dënon me force çdo pretendim, se deklarimi i pavarësisë së Krimesë duhet të trajtohet në mënyrë të njëjtë si deklarimi i pavarësisë së Kosovës.

“Keqpërdorimi i Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, për të justifikuar ligjshmërinë e referendumit të propozuar në Krime, nuk ka asnje bazë ligjore dhe asnjë ngjashmëri të rrethanave historike dhe faktike.”- thuhet në deklaratën e bërë publike sot nga Ministria e Jashtme.

Duke iu bashkuar shqetësimit të shprehur nga komuniteti ndërkombëtar mbi paligjshmërinë dhe rrezikshmërinë e referendumit, Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje Federates Ruse që të ndalojë veprimet në mbështetje të kësaj inisiative të rrezikshme, destabilizuese që cënon sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Ukrainës.

DEKLARATA E PLOTE E MINISTRISE SE JASHTME
 Ministria e Punëve të Jashtme së Republikës së Shqipërisë i bashkohet shqetësimit të shprehur nga komuniteti ndërkombëtar mbi paligjshmërinë dhe rrezikshmërinë e referendumit të deklaruar për t’u zhvilluar në Krime në datën 16 mars. MPJ vlerëson se ky referendum është i paligjshëm dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Ukrainës dhe të drejtën ndërkombëtare dhe nuk mund të shërbejë si bazë për asnjë ndryshim të statusit të Krimesë. Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje Federates Ruse që të ndalojë veprimet në mbështetje të kësaj inisiative të rrezikshme, destabilizuese që cënon sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Ukrainës. Ministria e Puneve të Jashtme dënon me force çdo pretendim, se deklarimi i pavarësisë së Krimesë duhet të trajtohet në mënyrë të njëjtë si deklarimi i pavarësisë së Kosovës. Keqpërdorimi i Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, për të justifikuar ligjshmërinë e referendumit të propozuar në Krime, nuk ka asnje bazë ligjore dhe asnjë ngjashmëri të rrethanave historike dhe faktike. Ministria e Punëve të Jashtme bën thirrje që palët të drejtohen menjëherë drejt zgjidhjes paqësore të këtij konflikti, nëpërmjet dialogut të drejtëpërdrejtë dhe instrumenteve diplomatike dhe të kufizohen nga akte të njëanshme dhe retorika që rrisin tensionet.

(sg/shqiptarja.com)