Kryesocialisti Edi Rama ka bërë një retrospektivë zgjedhjesh me një ecje të shpejtë në kohë dhe dy foto nga momente historike të Shqipërisë.

I pari me një imazh të keq për vendin dhe i dyti me një gjurmë që la shenjë.

Zgjedhjet e vitit 1996 dhe Tirana pas tyre nën dhunën policore e të institucioneve ligjzbatuese ndaj opozitës socialiste të asaj kohe dhe vjedhjes masive të zgjedhjeve parlamentare nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike, si dhe kryeqyteti pas zgjedhjeve të 11 majit, me Samitin e VI-të të Komunitetit Politik të Europës që u mbajt në datat 16-17 maj, me liderët e 47 vendeve të botës.

“Tirana pas zgjedhjeve të 26 majit 1996 dhe Tirana pas zgjedhjeve të 11 majit 2025”, shkruan kryeministri në postimin e tij të shkurtër në llogarinë e rrjetit social Facebook.

Zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996 u shoqëruan nga një vjedhje masive e votës nga PD dhe Sali Berisha në të gjithë vendin, që u mbajt shënim edhe nga organizmat ndërkombëtarë, të cilat i deklaruan jo të lira, të parregullta dhe me shkelje të shumta.

Rezultati ishte një fitore për Partinë Demokratike që ishte në pushtet, e cila fitoi 122 nga 140 vendet, kurse PS vetëm 10 deputetë. Zgjedhjet u kontestuan fortë nga faktori ndërkombëtar dhe opozita e atëhershme, e cila u përball edhe me dhunën e Policisë dhe SHIIK-ut të Bashkim Gazidedes më 1996, ku njëra nga fotot është edhe kjo e publikuar nga kryesocialisti Rama.

Postimi shoqërohet me dy foto në krah dhe me një emoji trishtues tek rreshti për vitin 1996 dhe 3 emoji “flamuri shqiptar, i BE-së dhe numri 5” në rreshtin e dytë të pas 11 majit.

Postimi i Edi Ramës në Facebook