Tirana është kthyer për dy ditë në qendër të diskutimeve europiane për biznesin, duke pritur për herë të parë takimet e Grupeve të Punës të EBRA-s, Shoqatës Europiane të Regjistrave të Biznesit.

Aktiviteti, që zhvillohet deri më 25 mars dhe organizohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ka mbledhur ekspertë dhe drejtues nga e gjithë Europa për të diskutuar mbi çështje kyçe si transparenca, digjitalizimi dhe ndërveprimi i sistemeve të regjistrimit të bizneseve.

Në fjalën e saj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, u ndal te transformimi i bërë në Shqipëri, duke theksuar se sot regjistrimi i biznesit është tërësisht online dhe realizohet brenda 24 orëve.

“Sot, Shqipëria ofron një sistem tërësisht të dixhitalizuar për regjistrimin dhe shërbimet e biznesit. Aplikimet kryhen online, proceset janë të shpejta dhe të standardizuara, ndërsa regjistrimi realizohet brenda 24 orëve. Ky transformim ka rritur efikasitetin, ka ulur kostot për sipërmarrjen dhe ka forcuar besimin te institucionet. Në të njëjtën kohë, kemi avancuar me reforma të rëndësishme ligjore, në funksion të përafrimit me acquis të Bashkimit Europian” tha ajo.

Sipas saj, ky ndryshim jo vetëm që ka ulur kostot për sipërmarrjen dhe ka rritur besimin tek institucionet, por ka kontribuar që vendi të bëjë hapa konkretë për t’u afruar me standardet e Bashkimit Europian.

“Punojmë për përmirësimin e kuadrit për pronësinë përfitues, për rritjen e transparencës dhe për garantimin e aksesit në të dhëna të sakta dhe të besueshme. Rezultatet janë konkrete. Shqipëria vlerësohet pozitivisht në indekset ndërkombëtare për efikasitetin administrativ dhe për lehtësinë e të bërit biznes, duke u pozicionuar ndër vendet më të avancuara në rajon në këtë drejtim,” tha. Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i QKB-së, Etugert Llazi, e cilësoi zhvillimin e këtij takimi në Tiranë si një vlerësim konkret për progresin e bërë.

“Fakti që ky takim zhvillohet për herë të parë në Shqipëri përbën një moment të rëndësishëm dhe një vlerësim konkret për progresin e arritur në zhvillimin e regjistrave të biznesit. Dixhitalizimi i proceseve dhe përmirësimi i cilësisë së të dhënave kanë qenë në qendër të transformimit të QKB-së, duke rritur transparencën dhe efikasitetin e shërbimeve për biznesin" tha ai. 

Gjatë dy ditëve të takimeve, fokusi do të jetë te zhvillimet më të fundit europiane, përfshirë ndërlidhjen me sistemin BRIS, Portofolin Europian të Biznesit dhe parimin “vetëm njëherë”, që synon të shmangë burokracitë e panevojshme për sipërmarrjen.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Regjistrit të Pronarëve Përfitues, si një mjet i rëndësishëm për rritjen e transparencës dhe luftën kundër pastrimit të parave.

Ky event shihet si një mundësi për Shqipërinë që jo vetëm të prezantojë arritjet e saj, por edhe të forcojë bashkëpunimin me partnerët europianë, në një moment kyç për procesin e integrimit.