TIRANE - Një 11vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në banesën e tij. Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së sotme në fshatin Zenelaj të Sharrës në kryeqytet. Lajmi është konfirmuar në studion e televizionit A1 REPORT! nga Bedri Hasanaj, shef i patrullës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Kanë qenë familjarët e fëmijës, të quajtur Anxhelo halilaj, ata të cilët kanë gjetur 11-vjeçarin të vetëvarur, por fatkeqësisht fëmija ka gjetur vdekjen rrugës për në spital.

Fqinjë të Anxhelos, kanë rrëfyer se ai ishte fëmijë i qetë dhe nuk kishte shfaqur problem kohët e fundit, por mendojnë se shkak i ngjarjes mund të jetë bërë divorci i prindërve.

Anxhelo kishte edhe dy vëllezër të tjerë dhe pas divorcit të prindërve jetonte me të atin.

Policia e mbërritur në vendngjarje ka marrë në pyetje familjarët e fëmijës si dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve që mund ta kenë çuar 11- vjeçarin drejt këtij akti ekstrem.

PRECEDENTET

Rastet e mistershme së marrjes së jetës nga vetë fëmijët nëpërmjet varjes kanë shokuar opinionin publik edhe më parë.

Në tetor të vitit të kaluar një fëmijë 10 vjeç i dha fund jetës duke u vetëvarur në pemë në oborrin e shtëpisë së tij, në fshatin Fush-Drujë të komunës Fush-Bulqizë, 5 klm larg qytetit të Bulqizës. Viron Shehu ndodhej në banesë me vëllain e tij 5-vjeçar, ndërsa ishte ky i fundit ai që pa të vëllanë të varur me litar në pemën e shtëpisë së tyre.

Në dhjetor një tjetër rast fatkeq u shënua për 11-vjeçarin Edison Lleshi po nga Bulqiza, i cili u gjet i vetëvarur në një ndërtesë të vjetër pranë banesës së tij që shërbente si stallë bagëtish. Nga hetimet mbi këtë ngjarje u dyshua në atë kohë, se akti ekstrem u ndërmor nga vogëlushi pas një zënke që kishte pasur me të atin, pasi ky i fundit nuk i kishte blerë një dhuratë për Vitin e Ri.

Ndërsa për dy ditë radhazi, më 10 dhe 11 janar të këtij viti, rastet e vetëvarjeve të adoleshentëve tronditën Fushë-Krujën dhe Dibrën. 17 vjeçari, Sandër Metaj nga fshati Hasan i rrethit të Krujës mori aktin ekstrem duke u vetëvarur në dhomën e tij të gjumit. Ndërsa një ditë para, një 18-vjeçar nga Dibra u gjet i vetëvarur në ambientet e shtëpisë së tij.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)