TIRANË- 32 persona janë arrestuar dhe 13 467 gjoba janë vendosur nga Policia Rrugore e Tiranës gjatë javës që lamë pas. Dy prej të arrestuarve, pasi u kapën duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, tentuan të korruptonin efektivët e policisë.
Nga kontrollet, 4 998 gjoba janë vendosur për shkelje në sigurinë rrugore, ndërsa 7 868 për parkime të gabuara dhe shkelje të tjera që pengojnë qarkullimin dhe krijojnë trafik.
Policia ka gjobitur gjithashtu 1 093 drejtues motomjetesh për mosvendosjen e kaskës, 418 drejtues dhe pasagjerë për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 309 drejtues për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.
83 gjoba janë vendosur për automjete që shkaktonin zhurma për shkak të modifikimeve të paligjshme, ndërsa 19 drejtues janë ndëshkuar pasi u kapën nën efektin e alkoolit.
Gjatë kontrolleve janë bllokuar edhe 75 automjete për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.
Policia Rrugore bën apel që drejtuesit të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos përdorin alkool kur drejtojnë automjetin dhe të mos lëvizin pa leje drejtimi.







Komente
Komento