Sipas burimeve të policisë, më të rrezikuarat janë Unaza e Re, Tirana e Re, Kamza, Yzberishti dhe ajo e Freskut në Dajt. Duke qenë se janë zona urbane të krijuara në vitet e fundit, policisë i mungojnë informatorët për identifikimin e grabitësve dhe në këto kushte ajo arrin të zbardhë vetëm 40 për qind të rasteve.
Gjithashtu, në këto hapësira mungojnë kamerat e sigurisë, një shqetësim ky i ngritur disa herë nga forcat e rendit por që deri tani nuk ka gjetur zgjidhje.
Burimet kanë deklaruar për “Report TV” se hajdutët vënë në shënjestër kryesisht dyqane bizhuterish, apo aksesorësh elektronikë si celularë, laptopë, televizorë me ekran të sheshtë, si dhe aparate matëse të ujit.
Gjithashtu, ata nuk kursejnë as banesat, duke përdorur vegla të posaçme për të hapur dyert apo dritaret. Hajdutët mbajnë doreza për të mos lënë gjurmë gishtash dhe shall për të mbuluar fytyrën, me qëllim që të mos identifikohen.
Sipas policisë, bëhet fjalë për grupe kriminale por edhe persona që veprojnë individualisht, të cilët janë kthyer në makthin e banorëve të zonave të reja urbane të kryeqytetit.
d.c./shqiptarja.com

VIDEO









