TIRANE- Një oficer i SHISH është arrestuar ditën e sotme, pasi akuzohet për 3 vjedhje në bashkëpunim me një shtetas tjetër. Sipas Policisë së Tiranë, 22-vjeçari Orges Memishaj lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, punonjës i Shërbimi Informativ Shtetëror, ishte i përfshirë në vjedhje, ndërsa shoqërimi i tij është bërë nga reparti Shqiponja, në bashkëpunim me komisariatin numër 1.
 
Sipas policisë, punonjësi i SHISH me një motor në pronësi të SHISH, kryente vjedhjet në bashkëpunim me 22-vjeçarin Altin Lleshi lindur në Dibër e banues në Tiranë, me arsim të mesëm i padënuar më parë.
 
Mjeti i krimit në momentin që është sekuestruar ka qenë pa targa të dukshme të cilat ju gjetën të fshehura në brendësi të mjetit motorik.
 
“Ndalimi i këtyre shtetasve është kryer pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin dyshohet se janë autorë të vjedhjes me dhunë të kryer më datë 9 Maj 2014 në bulevardin "Zhan D`Ark rreth orës 22.45.
 
Këta shtetas dyshohet se janë bashkautorë edhe të vjedhjeve të tjera të kryera në vende të ndryshme të kryeqytetit.
 
Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua një motor i prodhimit kinez, me targa AD752 në pronësi të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe leja e qarkullimit. Motor me të cilin këta shtetas kryenin vjedhjet. Mjeti i krimit në momentin që është sekuestruar ka qenë pa targa të dukshme të cilat ju gjetën të fshehura në brendësi të mjetit motorik”, tha drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa në një deklaratë për shtyp.
 
Policia e Tiranës bën me dije se vazhdon puna për dokumentimin ligjor për vepra penale të tjera për të cilat këta shtetas janë ndaluar, ndërkohë që materiali ju referua Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)