TIRANE- Kryetari i Bashkisë Lulëzim Basha ka dhënë leje ndërtimi pranë “Kopshtit Botanik” që bien në kundërshtim me planin urbanistik të kryeqytetit.
 
Këtë akuzë ngriti arkitekti dhe njëkohësisht konsulenti i kryeministrit, Artan Shkreli, i cili konstatoi se zonën e “Kopshtit Botanik” në kryeqytet me dhjetëra leje janë dhënë në shkelje të plotë të ligjit. Deklarata për mediat e ekspertit për territorin, Artan Shkreli‏

“Basha jep leje në kundërshtim me planin e vet rregullues që është një gjë e paimagjinueshme që nuk ka ndodhur kurrë dhe që në këtë moment bie çdo lloj letre dhe çdo lloj ligji. Ajo që më habit mua është kush janë ata urbanistë dhe arkitekt në bashkinë e Tiranës të cilët përgatisin dosjet të kësaj natyre që janë kriminalë dhe që kryetari i bashkisë i firmos duke i shndërruar në leje ndërtimi të cilat prodhojnë jo vetëm probleme shumë të mëdha për këtë aks që ne me zor po e çlirojmë nga ndërtimet pa leje por përkeqësojnë jetën e qytetarëve të zonave përreth, zënë dritën, distancat me objektet ekzistuese janë inekzistente”, tha Shkreli.
 
Sipas Shkrelit deri më tani janë konstatuar rreth 80 leje që cenojnë disa nga pikat strategjike të kryeqytetit. Arkitekti i bëri thirrje drejtësisë të nisë hetimet, pasi shkalla e abuzimeve mund të jetë shumë herë më e lartë.

Reagon Bashkia: Po përvetësojnë dhe po bllokojnë punimet tona
Pas akuzave të Artan Shkrelit lidhur me ndërtimet në Tiranë ka reaguar edhe bashkia e Tiranës. Në një njoftim për mediat, Bashkia Tiranë akuzon qeverinë se po përvetëson dhe po bllokon punët e Bashkisë. Ndërkaq, në reagim thekson se “Bashkia e Tiranës i bën me dije çdo qytetari se çdo vendim dhe veprim i saj është konform ligjit dhe rregullave të këtij vendi”.
 
“E kuptojmë shqetësimin e zotit Shkreli që ia kanë prishur gjumin punimet e Bashkisë në sheshin Nënë Tereza, sepse e vetmja punë që ai bëri në atë shesh janë lejet për “Çibanët”.
 
E ndërsa skanë asgjë për të treguar, se s’kanë bërë dhe s’po bëjnë asgjë, rreken gjithë ditën të përvetësojnë e bllokojnë punët e Bashkisë e tu shesin mashtrime qytetarëve.
 
Bashkia e Tiranës i bën me dije çdo qytetari se çdo vendim dhe veprim i saj është konform ligjit dhe rregullave të këtij vendi.
 
Arkitektët e shkatërrimit të këtij qyteti nuk mund të fshihen duke mashtruar dhe sulmuar Bashkinë”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.


Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)