Tiranë- Policia e kryeqytetit ka goditur sot (28 Janar) një grup hajdutësh serialë të bizneseve dhe banesave në Tiranë.
Operacioni është koduar “Nata” dhe ka identifikuar 3 persona të dyshuar, përgjegjës të vjedhjes me thyerje në 2 biznese dhe tentativës në një banesë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, kur edhe u prangosën.
Në pranga ra një prej tyre, kurse dy të tjerët u shpallën në kërkim. Aksioni është kryer nga Komisariati i Policisë Nr. 3, kurse të dyshuarit janë shtetasit B. N., 38 vjeç, R. F. dhe E. L.(S).
“Shtetasi B. N., i cili është arrestuar, në bashkëpunim me 2 shtetasit e tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim, gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme, kanë vjedhur pajisje dhe vegla pune, në një biznes dhe në një kantier ndërtimi, si dhe kanë tentuar të vjedhin në një banesë. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer”, bëri me dije policia e kryeqytetit.
Dosja për hetime të mëtejshme i ka kaluar prokurorisë, për veprën penale “vjedhja”, e kryer në bashkëpunim.