TIRANE - Shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte një automjet ka bërë që të marrë para dy makina të cilat qëndronin të parkuara.

Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të pasdites së sotme, rreth orës 15:15 në zonën e Unazës së Re në kryeqytet.  Automjeti tip Benz me targa TR 4601 S ka përplasur dy makina të parkuara, një Ford me targa AA 195 AC dhe një makinë pune me bojëra brenda, me targa kosovare 04 856 DK.

Si pasojë e aksidentit është plagosur lehtë shoferi i Benzit, ndërsa nuk ka pasur të lënduar të tjerë për shkak se brenda dy makinave të parkuara nuk kishte persona. Kjo situatë është shoqëruar edhe me bllokimin e trafikut në këtë zonë për disa minuta, derisa makinat u larguan nga rruga.

Sipas hetimeve paraprake të policisë, dyshohet që shkak i aksidentit të ketë qenë shpejtësia jashtë rregullave të qarkullimit rrugor me të cilën lëvizte Benzi, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)