TIRANE - Arrest me burg pa afat është masa e sigurisë dhënë ndaj 3 të rinjve të akuzuar për pengmarrjen e studentit nga Librazhdi, Fatjon Xhafa, i cili për 3 ditë u mbajt i mbyllur në tualetin e një lokati në kryeqytet, për një borxh të pashlyer prej 860 mijë lekësh të vjetra.

Gazetari i televizionit A1 REPORT, Arsen Rusta, informoi se në seancën e sotme, zhvilluar me dyer të mbyllura, Gjykata e Krimeve të rënda dha masën “Arrest me burg pa afat” ndaj Martin Kështjari, Artur Kolpepës dhe Bledar Vatës. Pas kërkesës së prokurorit Eneid Nakuci, gjyqtari Bardhyl Dhamo ka vlerësuar se ka dyshime të arsyeshme që tre të akuzuarit Martin Kështjari, Artur Kolpepa dhe Bledar Vata, kanë kryer veprën penale të rrëmbimit në bashkëpunim dhe ka vendosur ndaj tyre masën shtrënguese arrest me burg. ëse akuzat e ngritura, për rrëmbim personi dhe keqtrajtim vërtetohen, atëherë të pandehurit rrezikojnë 15-25 vjet.

Ngjarja u shënua 2 ditë më parë në kryeqytet në një bar kafe në zonën e Stacionit të Trenit, ndrësa policia e Tiranës bëri me dije se nëpërmjet Strukturave për Krimet e Rënda në Policinë e Tiranës, falë një ndërhyrje në kohë, u bë i mundur lirimi i shtetasit Fatjon Ismet Xhafa, 22 vjec, lindur në qytetin e Librazhdit dhe banues në Tiranë.

Në këto rrethana hetimet i kanë kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, ndërsa tre të akuzuarit pas masës së arrestit dhënë për ta, pritet të përballen me drejtësinë duke rrezikuar një dënim, i cili shkon nga 15 deri në 25 vite burgim.

22-vjeçari nga Librazhdi ndodhej në Tiranë pasi ndjek studimet në një universitet privat. Ai u lirua në kohën kur babai i tij do të bënte dorëzimin e parave. Pasi kishte njoftuar edhe policinë, u bë e mundur lirimi i djalit të tij, Fatjon Xhafa mbrëmjen e 6 janarit.

STUDENTI U MBAJT PENG PER BUKEN E GOJES

Burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës kanë pohuar, se pengu Xhafa dhe tre autorët, kanë pasur një punë të përbashkët. Fatjoni i cili jetonte me qira në kryeqytet, ka qëndruar tek tre të rinjtë.

Sipas dëshmive të siguruara nga policia, tre të rinjtë e kanë mbajtur me ushqime për një javë Fatjonin pasi ky i fundit nuk kishte pasur lekë.

Në fund të bashkëpunimit, tre të rinjtë, Martin Kështjari, Bledar Vata dhe Artur Kolpepa (ky i fundit, pronari i lokalit ku u mbajt peng) i kanë bërë llogaritë se sa u detyrohej për ushqimin.

“860 mijë lekë (të vjetra) duhet të na japësh për ditët që të kemi mbajtur me ushqime, pije dhe kafe”, mësohet t’i kenë thënë të rinjtë studentit 22-vjeçar.

Por, kjo shumë, të cilën ai s'kishte ta paguante, i është dukur shumë e lartë. Por, tre pengmarrësit kanë këmbëngulur në të tyren, duke e mbajtur dhe peng, deri sa babai i tij të sillte lekët nga Librazhdi.

Redaksia Online
(Gre.M/a.r/Shqiptarja.com)