TIRANE- Banorët e rrugës “Hoto Beg ” pranë kryqëzimit tek Bërryli në Tiranë janë konfliktuar me policinë bashkiake për një aksion që kishte planifikuar të ndërmerrte sot në mëngjes për prishjen e disa shtëpive banimi.

Prishja e shtëpive është pjesë e planit për ndërtimin e një aksi që do të lidh këtë zonë me Unazën e Re.

Në momentin kur kanë parë ruspat pranë shtëpive të tyre, pronarët e shtëpive kanë dalë në rrugë për të ndaluar aksionin e policisë bashkiake.

Gazetarja e tv A1Report Genta Haxhiu informoi për një konflikt mes pronarëve të shtëpive që do të prishen dhe punonjësve të policisë bashkiake, me në krye Florenc Hoxhën.

Para se t’i vendoset ruspa pronës së tyre, banorët kërkojnë të dëmshpërblehen ashtu siç janë premtuar nga kryetari i bashkisë Lulzim Basha gjatë një takimi që ata kishin zhvilluar pak kohë më parë.

” Ne duam lekët, na dëmshpërbleni dhe më pas shkatërroni shtëpitë tona.”- thotë një nga pronarët e shtëpive. “Unë mund të rrezikoj të ngelem pa shtëpi. Kryetari të na japë shtëpi tjetër, ose të na kompensojë dhe më pas të vijë të prishi shtëpitë. “- shton një tjetër banor.

Për të mos tensionuar më tej situatën, të ndikuar dhe nga prania e medias, policia bashkiake është larguar duke e ndërprerë operacionin.
(sg/shqiptarja.com)