TIRANE- Një familje prej 5 anëtarësh nuk pranon të largohet nga banesa e planifikuar për t’u shembur për të ndërtuar rrugën e re “Hasan Sufa", pranë Brrylit në Tiranë.

Prishja e shtëpive është pjesë e planit për ndërtimin e segmentit të ri rrugor i cili pritet të përfundojë në muajin tetor do të lidh unazën, Bulevardi “Bajram Curri” me rrugën “Ali Demi”,  por kryefamiljari Shaban Plasa pretendon se nuk është kompensuar njësoj si 9 familjet e tjera të cilat tashmë janë zhvendosur nga banesa.

Gazetarja në terren e TVA1 Report, Gena Haxhiu informon se fadromistët shembën çatinë e banesës ndërsa kryefamiljari Shaban Plasa, bashkëshortja, djali 19 vjeç, vajza 20 vjeç dhe mbesa 3-4 vjeç ndodheshin brenda në banesë.

“Neve nuk jemi dëmshpërblyer. Neve këtu do vdesim. Fadromat po na vijnë mu në kokë, po na shembin catinë. Nuk dalim nga shtëpia pa na dhënë lekët. Do vdesim këtu."- thotë e vajza e Shaban Plases.

I pyetur përse nuk është dëmshpërblyer si të tjerët Plasa tha se nuk dinte të jepte një përgjigje ndërkohë që kishte ndjekur të njëjtën procedurë si 9 famijlet e tjera. Ai thotë se nuk do të largohet nga banesa, edhe nëse fadromat nuk do të ndalin operacionin. "Çatinë e shembën kur ne ishim brenda"- thotë Plasa.

Familjarët nuk pranojnë të largojnë fëmijët nga banesa ndonëse punojësit e bashkisë thonë se për momentin banesa është tepër e rrezikshme për jetën e tyre.   

Fadromistët po punojnë me shembjen e banesave të tjera të planifikuara për tu shkatërruar. Në këto banesa familjarët janë zhvendosur. Aksioni nisi më 1 gusht,por u ndërpre pasi banorët pretenduan se nuk ishin dëmshpërblyer prandaj dhe nuk ishin larguar nga banesat e tyre.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)