Tirane  Irida Hasalla vetëm 28 vjeç më 19 janar mbërriti nga Belgjika ku jetonte e punonte, për të kryer një ndërhyrje estetike në Tiranë. E reja me origjinë nga Lushnja prej 2 vitesh ishte diagnostifikuar me tumor në mitër dhe kurohej në Belgjikë, trajtime që siç familjarët na tregojnë, kanë kushtuar deri në 200 mijë euro. Por e mundonte prej kohësh pesha e saj trupore dhe vendosi të heqë dhjamin.

Ndërhyrjen zgjodhi ta bënte në spitalin privat “Amerikan 2” në Tiranë. Pas konsultave me mjekët atje, të hënën e 29 janarit 2024 u fut në operacion. Në spital paraqiti të gjitha analizat, u tregoi mjekëve se kurohej nga tumori, - thotë vëllai i saj - por bluzat e Bardha të spitalit “Amerikan” i garantuan siguri për jetën. Por nuk ndodhi kështu.

“Vjen në Shqipëri për të bërë një vizitë te spitali Amerikan, për të bërë një operacion për të hequr disa kile. Sipas mjekëve ajo nuk duhej të ishte operuar fare se nuk i lejohet. Duke parë parasysh kartelën që ka nuk duhej të lejohej fare" thotë i vëllai Arenc Hasalla sot në një prononcim për Report Tv jashtë ambienteve të Institutit të Mjekësisë Ligjore ku trupi i 28 vjeçares do i nënshtrohet autopsisë.

Kushërira e saj na tregon se si rrallë herë, Irida kishte lyer flokët, bëri thonjtë e madje vendosi edhe qerpik. “Dua të shkoj si zonjë në operacion”, i kish thënë e reja kushërirës dhe shoqes së ngushtë.

"Sëmundja e tillë nuk e lejon me bo asnjë lloj veprimi, as me heq dhëmballë, as antibiotikë asgjë" thotë i vëllai.

Shoqja, e cila i qëndroi te koka, tregon se Irida hyri në sallë në orën 14:30. Kur gjithçka përfundoi mjekët nuk thanë se e reja kishte probleme. Madje për çudi, shoqja e ngushtë thotë për Report Tv se e vetmja gjë që i kërkuan me ngulm, ishte pagesa e operacionit, mbi 4 mijë euro, rreth orës 23:30.

Një ditë më pas, më 30 janar, kur vajza tentoi të shkojë në tualet, vëllai i saj, Arens Hasalla, rrëfen se e motra u rrëzua në tokë. Pësoi trombozë dhe mjekët e futën në reanimacion prej nga nuk doli më e gjallë.

Gishtin e akuzës e ngre ndaj mjekëve të spitalit Amerikan 2, të cilët i ka kallëzuar për mjekim të pakujdesshëm në komisariatin numër 4.

 Motra gjatë operacionit nuk janë vënë as çorapet e trombozës dhe as kushtet që duhen për këtë. Unë akuzoj doktoreshën Rezarta Kapaj pastaj insitucionet spitalit amerikan" thotë i vëllai.

Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thonë se nën drejtimin e Prokurorisë u ngrit grup hetimor dhe janë marrë në pyetje familjarët, mjekë dhe anestezisti që kanë marrë pjesë në operacion, të cilët siç Report Tv mëson, janë shprehur se kanë bërë detyrën sipas procedurave.  Megjithatë prokuroria ka kërkuar që të verifikohen të gjitha lëvizjet dhe detyrat që janë kryer që nga momenti që vajza ka shkuar për të kryer ndërhyrjen, deri kur ndërroi jetë.

Mjekët ligjorë kryen autopsinë, rezultatet e së cilës pritet të hedhin dritë mbi shkaqet e vdekjes.

Në Belgjikë, Irida Hasalla punonte në një restorant. Brenda pak ditësh priste të merrte përgjigjet e analizave që kishte kryer atje për tumorin, dhe siç familjarët na tregojnë, priste lajme të mira, të kishte përmirësim të gjendjes shëndetësore. Nga Shqipëria zgjodhi të largohet në një moment të vështirë për familjen Hasalla, pasi babai i saj ndërroi jetë nga një atak kardiak. Edhe emri i saj, Irida, kishte lidhje me një tjetër histori të trishtë. I vunë emrin e motrës që kishte ndërruar jetë para se ajo të lindte.

Ndiqni lajmet në zhvillim 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:49
Vëllai i 28 vjeçares që ndërroi jetë pas ndërhyrjes kirurgjikale i kërkon llogari, drejtori i spitalit ‘Amerikan 2’: Mos u merr me këtë çështje, po heton policia

 

Report Tv ka siguruar një video ku Arenc Hasalla, vëllai i 28 vjeçares që vdiq pas operacionit tek spitali ‘Amerikan 2’ shkon të ankohet tek drejtori i spitalit, duke i kërkuar llogari mbi ngjarjen e rëndë. Ky i fundit i thotë që mos të merret me këtë çështje sepse tashmë policia po kryhen hetimet e nevojshme.

Teksa u shpreh se nuk dinte asgjë lidhur me këtë operacion që kishte kryer e ndjera, drejtori i spitalit i thotë Arencit se do të marrë përgjigjiet mbi çfarë shkoi keq pasi të dalin rezultatet e mjekësia ligjore.

Diskutimi mes vëllait të 28 vjeçares që ndërroi jetë dhe drejtorit të spitalit Amerikan 2:

Arenc Hasalla: O Drejtor, të bisedojmë pak,

Drejtori i spitalit: Një sekondë se jam në telefon

Arenc Hasalla: Si do ta lejmë për shkakun e motrës, autopsinë... doktoresha pa firmën time dhe duke parë dosjen e motrës që ishte me kancer, si mundi ta marrë përsipër?

Drejtori i spitalit: Më dëgjo mua, tani është futur në lojë policia. Mjekësia ligjore do përcaktojë të gjithë shkaqet

Arenc Hasalla: Motra ime ka ardhur me dosjen nga Belgjika...

Drejtori i spitalit: Mos u merr me këtë çështje Tani më dëgjo, unë nuk di asgjë lidhur me këtë. Erdhi eksperti, erdhi OPGJ, shefi i krimeve, kanë marrë nën administrim trupin dhe do t’i marrësh të gjitha përgjigjiet.

Ora 16:28
‘Do më përgjigjesh me shpirtin e motrës’, 28 vjeçarja vdiq pas operacionit tek spitali ‘Amerikan 2’, vëllai telefonon mjeken dhe e akuzon (VIDEO)

1706715555_arenchasalla.PNG

Arenc Hasalla, vëllai i së ndjerës Lirida Hasalla e cila humbi jetën në spitalin ‘Amerikan 2’ pas një ndërhyrje plastike ka telefonuar doktoreshën Rezarta Kapaj e cila operoi të motrën duke e akuzuar atë për ngjarjen e rëndë të ndodhur.

Vëllai i 28 vjeçaren, akuzoi mjeken për neglizhencë duke thënë se nuk ka parë fare kartelën mjekësore të Liridës e cila ishte me kancer.

Ndërsa mjekja e cila i kërkon të mos e bëjnë një bisedë të tillë në telefon, thotë se kjo ishte një fatkeqësi që ndodhi por thekson se e ndjera i kishte thënë se ishte shëruar nga ndërhyrja që kishte patur në Belgjikë.

Biseda telefonike mes Arenc Hasallës dhe doktoreshës që operoi të ndjerën:

Arenc Hasalla: Unë jam i vëllai i së ndjerës Irida. Më thuaj si e more kartelën e saj në dorë dhe cfarë dije ti për Iridën.

Mjekja Rezarta Kapaj: Nuk më duket e përshtatshme të flasim në telefon, nuk u takuam dot jashtë...

Arenc Hasalla: Sot kanë ardhur nga Belgjika 500 fleta ku thuhet se ka qenë me kancer

Mjekja Rezarta Kapaj: Ajo mua më ka gënjyer...

Arenc Hasalla: Për çfarë të ka gënjyer, analizat i ke bërë? Kartelën e ke parë... kush ka firmosur?

Mjekja Rezarta Kapaj: Vetë ka firmosur! Sapo erdha nga komisariati i policisë. Nuk thashë që nuk ka bërë ndërhyrje por më ka thënë se ka qenë e shëruar. Pse do ta merrja unë një të sëmurë...

Arenc Hasalla: Si i ra trombozë motrës time dhe ti nuk i kishte vendosur corapet e trombozës, isha unë aty

Mjekja Rezarta Kapaj: Ju lutem, kjo ishte një fatkeqësi

Arenc Hasalla: Ti mua do më përgjigjesh për shpirtin e motrës time, nuk i dua ato lekë. Një njeri me kanxcer nuk pranon narkozë, cfarë doktoreshe je, ku je diplomuar?!

Mjekja Rezarta Kapaj: Nuk ia kam vendosur unë narkozën por anestezisti. Ju lutem tani...

 

Ora 15:53
Vdekja e 28 vjeçares një ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale, reagon Spitali amerikan

1706712800_hasalla.jpg

Foto: Irida Hasalla 

Spitali amerikan2 ka reaguar lidhur me vdekjen e Irida Hasallës një ditë pas operacionit në këtë spital. Në një njoftim për median spitali thotë se bëhej fjalë “për një ndërhyrje rutinë e kryer sipas protokollit mjekësor pasi janë kryer të gjitha kontrollet, konsentet dhe analizat pre operatore të nevojshme”

Spitali thotë ndër të tjera se 28 vjeçarja ka "pësuar një përkeqësim të menjëhershëm nga një komplikacion post operator mjaft i rëndë dhe me shkallë të lartë mortaliteti, i cili është pjesë e riskut të çdo ndërhyrjeje kirurgjikale.

Gjithashtu është në dispozicion për të bashkëpunuar me institucionet ligjzbatuese për sqarimin e kësaj ngjarje të dhimbshme

Ora 11:52
‘Iku si zonjë në spitalin Amerikan 2 por doli e vdekur! Irida erdhi nga Belgjika për të hequr dhjamin në Tiranë! Drama në familjen Hasalla

1706693157_iridahasalla.jpg

Foto: Irida me të vëllanë Arens Hasalla

Irida Hasalla kishte 10 vite që jetonte në Belgjikë dhe ishte atje me dokumente të rregullta. Tumori e kishte prekur në mitër dhe në 2 vezore.

Mbante emrin e motrës që i kishte vdekur 11 muajshe ndërsa shumë vite më parë kishte humbur të atin.

Të afërmit e njihnin si njeri të vendosur. Në Belgjikë punonte në një kafene ndërsa në Shqipëri kishte ardhur më 19 janar për të kryer ndërhyrjen plastike të heqjes së dhjamit me të cilët duket që kishte dëshirë të ndryshonte pamjen ndërsa duket që kishte marrë garancinë nga mjekët se nuk kishte asnjë rrezik.

“ Me dëshirën e saj ka shkuar, ndoshta se ka ditë që mund të ishte shumë e rrezikshme. Mjekët i kanë thënë s’ke pas rrezik. Ajo s’duhej të ishte futur fare në operim, narkozën nuk e pranon fare trupi me kancer’ thotë I vëllai

Madje për të shkuar në operacion kishte lyer flokët, kishte bërë qerpikët, thojntë duke thënë ‘Do iki si zonjë në spital”, mëson gazetarja e Report Tv, Lediona Jakini

Për operacionin shoqja e saj thotë se Irida kishte paguar 4 mijë euro. Paratë madje ishin dhënë me urgjencë në orët e vona të mbrëmjes. Irida kishte dalë mirë nga operacioni, deri të nesërmen e 30 janarit në orën 10:00 kur sapo u ngrit në këmbë u rrëzua në tokë dhe i ra trombozë.

Mjekja nuk duhej ta kishte marrë përsipër një rast të tillë. Kur sheh një kartelë të tillë që është me kancer s’duhej ta kishte pranuar fare”, thotë Arenc Hasalla në një prononcim për Report Tv.

Operacioni në spitalin Amerikan sipas familjarëve është kryer nga mjekja Rezarta Kapaj 

Ora 11:17
Vdiq në spitalin Amerikan 2! Momentet e fundit të Iridës pas ndërhyrjes kirurgjikale! Sa u ngrit në këmbë i ra trombozë

1706698593_finalprojekt.00024211.Still130.jpg

Foto: Irida Hasalla

Report Tv siguron foton e Irida Hasallës 28 vjeçares në spitalin Amerikan2 momente pasi i ishte nënshtruar kirurgjisë plastike për heqjen e dhjamit.

Operacioni u krye në orën 14:30 minuta të hënën e 29 janarit ndërsa humbi jetën një ditë më pas.

Vëllai ka treguar se Irida ka qenë mirë pas operacionit. Në një moment ka dashur të shkojë në banjo dhe një infermiere i kanë thënë që mund të shkonte vetë. Në momentin kur është ngritur në këmbë është rrëzuar i kanë rënë trombozë.

“Në orën 10:00 ka dashur të shkojë tualet një nga infermierët i thotë shko vetë.  Në momentin që është ngritur është rrëzuar, i ka rënë trombozë. Pastaj u fut në sallën e operacionit ishte pa ndjenja 6 orë” thotë I vëllai.

Ndërsa shoqja e saj e cila i ka qëndruar pranë ka thënë se nuk është bërë gjilpëra që parandalon trombozë dhe as nuk i ishin veshur çorapet që duhen në këtë rast.

Ora 11:09
28-vjeçarja vdes te ‘Amerikan2’ pas operacionit plastik, ja skeda e vdekjes së të resë

1706695436_hasalla.jpg

Irida Hasalla, 28-vjeçe ka ndërruar jetë pas ndërhyrjes së kryer nga mjekët te spitali ‘Amerikan 2’ për heqjen e dhjamit, megjithëse ishte e me kancer.

Report Tv ka siguruar skedën e vdekjes, ndërsa pritet që të kryhet edhe autopsia paraprake se pse e reja ka ndërruar jetë.

Ora 10:58
28-vjeçarja ndërron jetë pas ndërhyrjes në spitalin ‘Amerikan 2’, merren në pyetje mjekët: Kemi ndjekur rregullat standarde për operacionin

 

Irida Hasalla, 28-vjeçe ka ndërruar jetë pasi ka kryer një ndërhyrje plastike në spitalin ‘Amerikan 2’, megjithëse ishte me kancer.

Policia ka nisur hetimet në lidhje me rastin pasi familjarët kanë bërë denoncimin. Bëhet me dije se janë marrë në pyetje familjarët dhe mjekët që kanë marrë pjesë në operacion.

Mjekët që janë marrë në pyetje kanë deklaruar se kanë ndjekur të gjitha rregullat standarde që kryhen për operacione të ngjashme, megjithatë prokuroria ka kërkuar që të verifikohen të gjitha lëvizjet dhe detyrat që janë kryer që nga momenti që vajza ka shkuar për të kryer ndërhyrjen, deri kur ka ndërruar jetë.

Janë sekuestruar dokumentacionet e plota të ndërhyrjes, përfshirë kartelën mjekësore në spital dhe materiale të tjera me rëndësi për hetimin, i cili është në fazë fillestare.

‘Ditën e djeshme, më datë 30.01.2024, është marrë njoftim se në një spital privat, pas një operacioni, ka ndërruar jetë shtetasja I. H., 28 vjeçe, banuese në Tiranë.  Pas marrjes së njoftimit, në drejtimin e Prokurorisë, është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para procedurale si autopsia, marrja në pyetje e familjarëve, marrja në pyetje e mjekëve dhe anestezistit që kanë marrë pjesë në operacion.  Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.’- njofton policia.

Ora 10:55
E reja humbi jetën pas ndërhyrjes plastike te spitali Amerikan 2, vëllai për Report Tv: Vuante nga kanceri, mjekët i thanë se s’ka rrezik! I ra trombozë

Arenc Hasalla, vëllai i së ndjerës Lirida Hasalla, e cila humbi jetën pas një ndërhyrje plastike në spitalin Amerikan 2, ka treguar për Report Tv se si mjekët e futën në operacion motrën e tij edhe pse kjo e fundit vuante nga kanceri.

Ai thotë se mjekët i kanë thënë motrës se nuk ka pasur rrezik nëse i nënshtrohej kësaj ndërhyrje kirurgjikale për të cilën janë paguar 4 mijë euro, sipas familjarëve. Ai thotë se motra nuk dihej të ishte futur fare në operacion pasi trupi i saj nuk e përballonte narkozën, duke qenë se prej 2 vitesh vuante nga kanceri. Ai tregon për Report Tv se motrës i ndalohej edhe të hiqte dhëmballë, apo të merrte antibiotikë pasi vuante nga kanceri në mitër. Tumori sipas familjarëve i është përhapur në 75% të trupit. 

“E ndjera e kishte emrin Lirida Hasalli, 28 vjeç. Vuante nga një sëmundje kanceri dhe kurohej në Belgjikë. Vjen në Shqipëri për të bërë një vizitë te Amerikani, për të bërë një operacion për të hequr disa kile. Ajo nuk duhet të ishte operuar fare sipas mjekëve se nuk i lejohet. Duke parë edhe kartelën që ka nuk duhet ta lejojnë fare. Kishte 2 vite që kurohej. Kishte përmirësime kohët e fundit, sëmundja e tillë që nuk e lejon me bo asnjë lloj veprimi, as me heq dhëmballë, as antibiotikë asgjë. Me dëshirën e saj ka shkuar, ndoshta se ka ditë që mund të ishte shumë e rrezikshme. Mjekët i kanë thënë s’ke pas rrezik. Ajo s’duhej të ishte futur fare në operim, narkozën nuk e pranon fare trupi me kancer.

Më tej ai tregon se pasi ka dalë nga operacioni, të nesërmen në mëngjes e motra ka kërkuar të shkojë në tualet. Këtu nuk është ndihmuar as nga infermieret e spitalit Amerikan 2 dhe është çuar vetë në këmbë për të shkuar në spital. Në këtë moment e reja ka rënë në tokë dhe ka pësuar trombozë, më pas është dërguar në reaminacion, por fatkeqësisht më pas ka humbur jetën.

Është futur nga ora 14:30-15:30 të hënën. Ka ndenjur në mbikëqyrje të mjekëve. Të nesërmen është zgjuar. Në orën 10:00 ka dashur të shkojë tualet një nga infermierët i thotë shko vetë. Në momentin që është ngritur është rrëzuar, i ka rënë trombozë. Kam familjarët që kanë shoqëruar. Pastaj u fut në sallë reanimacioni, pa ndjenja, 6 orë. Kishte marrë fund. Spitali Amerikan 2 nuk i kishte kushtet. Mjekja nuk duhej ta kishte marrë përsipër një rast të tillë. Kur sheh një kartelë të tillë që është me kancer s’duhej ta kishte pranuar fare.”, thotë Arenc Hasalla për Report Tv.

Familjarët hedhin akuza ndaj mjekes Rezarta Kapaj. Vajza u fut në operacion të hënën në orën 14:30. Familjarët hedhin akuza nga mjekes dhe spitalit Amerikan 2 se nuk i kishte kushtet. Ata thonë se 28-vjeçares nuk i bënë gjilpërë për të parandaluar trombozën.

Ora 10:49
E reja vdiq pas ndërhyrjes në spitalin ‘Amerikan 2', shoqja: Isha me Iridën ditën e operacionit, janë paguar mbi 4 mijë euro! Pagesa u bë në mesnatë

 

 

Shoqja e Irida Hasallës, 28-vjeçares e cila ndërroi jetë pasi iu nënshtruar një operacioni për estetik për heqjen e dhjamit në spitalin Amerikan, megjithëse kishte tumor në mitër, ka treguar për Report Tv se kanë paguar mbi 4 mijë euro.

Sipas shoqes, e cila ka qenë më të në ditën e operacionit ka thënë se i kanë bërë pagesat në 11:30 të natës, me urgjencë.

‘Janë paguar mbi 4000 euro për operacionin, përpos analizave’- ka treguar shoqja.