Një ngjarje aspak e zakontë ka ndodhur ditën e sotme në fillim të rrugës “Mylsym Shyri” në kryeqytet e cila ka habitur jo pak banorët e zonës. Fëmija 10-vjeçar nga komuniteti rom, teksa po kërkonte lëmoshë, është përballur me dhunën e një prej drejtuesve të automjeteve.
 
Pasi e ka ofenduar fillimisht të miturin, drejtuesi ka dalë nga makina dhe me forcë e ka mbyllur atë në një prej kazanëve të destinuar për hedhjen e mbeturinave.
 
Menjëherë me marrjen e njoftimit nga banorët, në vendngjarje mbërritën me shpejtësi punonjësit e Policisë Bashkiake, të cilët bënë të mundur nxjerrjen dhe dërgimin e fëmijës në Komisariatin Nr.2 të Policisë së Shtetit.
 
Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike si pasojë e dhunës së ushtruar, u lajmërua edhe psikologu, ndërkohë që ka nisur puna për sekuestrimin e pamjeve filmike të cilat do të lehtësojnë identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.
 
Krahas mbarëvajtjes së punëve publike brenda territorit të bashkisë, janë të shumta rastet kur Punonjësit e Policisë Bashkiake u është dashur që të ndërhyjnë për garantimin dhe sigurimin e jetës së qytetarëve.


dy.b/shqiptarja.com