TIRANE - Një nga banorët e ngujuar grevistë në rrugën "Margarita Tutulani", Ramazan Lile, ka lënë grevën mëngjesin e sotëm, pasi gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dhe ai është dërguar në spital. Ramazan Lile është 60 vjeç, i papunë dhe tre anëtarë në familje, të papunë të gjithë

Gazetarja e "A1Report!", Drilona Nokshiqi, e cila është duke ndjekur grevën e banorëve, njofton se deri më sot, problemi i ngritur prej tyre ende s'ka marrë zgjidhje. Ndërtesa trekatëshe është rrethuar nga policia, ndërsa kati i tretë është shkatërruar. Banorët, që janë në ditën e dhjetë të grevës së urisë, shprehen të bindur se pavarësisht përkeqësimeve, ata do vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpitë ku kanë jetuar për më shumë se 50 vjet.

Autoambulanca ka ardhur herët në mëngjës për të kontrolluar gjendjen e tyre. Që nga moment kur Ferdinan Caka me katër persona ka nisur shembjen e banesës nga kati i tretë, asnjë zyrtar i shtetit nuk është dukur pranë grevistëve.

Emrat e banorëve që po vazhdojnë grevën, përveç Ramazan Liles, janë:

Amela Ali, 25 vjeç, e papunë, katër anëtarë në familje, vetëm babai i punësuar
Mirela Ali, 47 vjece, e papunë
Zamira Meta, 58 vjeç, e papune, jeton me të ëmën pensioniste, jo banore e godinës
Sheqere Dani, 51 vjeç ,e papune, katër anëtarë në familje, të gjithë të papunë
Sajmir Dani, 52 vjeç, e papunë
Islam Nazja,54 vjeç, e papunë, tre anëtarë në familje, e shoqja e punësuar
Arjan Xhaferi,55 vjeç, kuzhinier në Gjermani, jeton vetëm
Eduart Miho, 47 vjeç, i papune, invalid, pesë anëtarë në familje, të gjithë papunë
Adrian Pojani, 56 vjeç, i papunë, përfaqëson të vëllanë

3 MAJ, U SHEMB KATI I TRETE I BANESES, BANORET NUK LEVIZEN NGA VENDI

Dje, grevistët në rrugën “Margarita Tutulani” në kryeqytet kanë kaluar një tjetër natë të tensionuar në ambientet e improvizuara afër godinës ku jetonin prej vitesh.

Duke filluar nga data 25 prill, 10 banorë vazhdojnë grevën e urisë për rihapjen e procesit gjyqësor për banesat e tyre, ose krijimin e kushteve për strehimin dikur tjetër.

Por edhe pse gjendja e tyre shëndetësore ka ardhur duke u rënduar dita-ditës, netët kanë qenë edhe më të vështira për ta. Për shkak të ndërhyrjes së Përmbarimit me ndihmën e policisë private një ditë më pare, për nxjerrjen e orendive të mbetura në apartamente dhe më pas shembjes së katit të tretë të godinës, gjendja shëndetësore e grevistëve, e sidomos gjendja psikologjike është rënduar ndjeshëm. 2 grevistë kanë shfaqur edhe më parë, probleme me tensionin dhe rrahjet e zemrës.

2 MAJ, TENSIONOHET SITUATA NDERMJET BANOREVE DHE POLICISE PRIVATE

Situata paraqitet e tensionuar pasditen e sotme në rrugën "Margarita Tutulani", pranë shkollës "Petro Nini" ku 10 banorë prej 25 prillit janë në grevë urie kundër nxjerrjes me dhunë nga banesat e tyre.

Sot në orën 15:00 përfaqësues të Përmbarimit me ndihmën e policisë private fillimisht nxorën me forcë orenditë dhe sendet e mbetura në disa prej apartamenteve, brenda godinës 3 katëshe dhe më pas nisën shembjen. Në bazë të një urdhërekzektumi të një vendimi gjykate i cili urdhëron dorëzimin e banesës pronarit, përmbaruesit sot kanë nisur shembjen.

Kjo ka rënduar gjëndjen psikologjike të banorëve të 14 familjeve që jetonin prej dhjetra vitesh në atë godinë, sidomos të 10 grevistëve të cilët prej 8 ditësh refuzojnë ushqimin në shenjë proteste për të rihapur dosjen pasi pretendojnë se pronari i ka marrë pronën me dokumente të falsifikuara.

ORA 16:00 2 PERFAQESUES TE AVOKATIT TE POPULLIT TEK GREVISTET
Në orën 16: 00 banorët sërish janë në gjendje të rënduar dhe për këtë kanë ardhur pranë tyre ambulanca, por ata refuzojnë mjekimin në shenjë proteste. Edhe dy përfaqësues të avokatit të Popullit janë pranë tyre.

“Këtu do vdesim”! Vazhdojnë thirrjet deri në frymën e fundit banorët të cilët shikojnë para syve se si prishen shtëpitë e tyre. Ata bëjnë apel Kryetarit të Bashkisë i cili iu premtoi se do ta shqyrtonte dosjen e tyre brenda 24 orëve.

Familjarët thonë se asgjë sështë bërë, por insistojnë duke qarë e thirrur se “ asnjë tullë nuk do hiqet pa u nxjerrë vendimi. Ata qëndrojë ende të shtrirë aty teksa iu rrezikohet edhe jeta nga shembja e shtëpive. Gazetari Arsen Rusta raporton nga ngjarja se në katin e dytë ende ka banorë, një çift i moshuar, e po ashtu edhe kati i tretë është i banuar.

Ferdinand Caka ish-pronari pretendent sëbashku me policinë private pa paralajmëruar ka nisur sot shembjen. Ndërsa bëhet me dije se policia shtetërore nuk ka bërë asgjë dhe qëndron në kafenetë përballë teksa situata është e agravuar dhe e mjerueshme në të njëjtën kohë.

ORA 17: 35 AVOKATI I BANOREVE: KY ESHTE VEPRIM ARBITRAR DHE I PALIGJSHEM

Avokati Agron Gjebia pas nisjes së shembjes së banesave të 10 banorëve të cilët ai ka nën mbrojtje tha se aia ka bërë cdo veprim që duhet, por duke se pretenduesi për pronar ka mbështetja të lartë, pasi kjo që po bëhet nuk është e lejueshmë më ligj.

“Aty duhet të ketë leje të KRRT–së, është njoftuar Prokuroria dhe policia dhe nuk kanë vepruar, shembja vazhdon dhe kjo të lë për të dëshiruar se këtu ka një zë të fuqisëhm, që i mbron.

Këto janë veprime arbitrare, duan ta realizojnë në moment të fundit, dhe një orë e më parë atë që kanë nisur.
Avokati i Popullit po vepron po mesa duke po bie në vesh të shurdhër. Edhe Basha premoti se do ta rregullonte këtë çështje, por mesa duket asgjë nuk është bërë.
Këto i ndodhin çdo njeriu dhe heshjta është e pajustifikuar, dhe nuk di kujt t’i drejtohemi më përveç ambasadave dhe Zotit për këtë padrejtësi”.

ORA 15: 00 GREVA E URISE, NIS PRISHJA E BANESAVE

Situata paraqitet e tensionuar sot rreth orës 15:00 në rrugën "Margarita Tutulani", pranë shkollës "Petro Nini" ku 10 banorë prej 25 prillit janë në grevë urie kundër nxjerrjes me dhunë nga banesa e tyre. Sot në orën 15:00 përfaqësues të Përmbarimit me ndihmën e policisë private fillimisht nxorën me forcë orenditë dhe sendet e mbetura në disa prej apartamenteve, brenda godinës 3 katëshe dhe më pas nisën shembjen.

"Dëgjohen çekicët, që shembin brenda në godinë"- raporton direkt nga vendi i ngjarjes Arsen Rusta, gazetari i Tv A1 REPORT. Ndërkohë që pak metra më tutje vazhdon greva e urisë.

“Nuk kam ku të vete. Ku të vete unë e mjera. Jam me tension. Nuk flas dot, edhe armiq të ishim nuk do na e bënin këtë. Ku të vete, do vras veten , çtë bëj unë e shkreta. ”- thotë e moshuara, teska qan. Ajo është një nga banoret e nxjerra jashtë, për mikrofonin e gazetarit Arsen Rusta.

BANORET: DO BEJME VETEGJYQESI

"Do bëjmë vetëgjyqësi, me dërrasa do i vrasim, do murosemi si te kalaja Rozafës. Për të prishur duhet leje nga bashkia, ne kemi certifikatë për pronësinë ai s’ka asgjë, ai ka vetëm 96 metra, - thotë një nga banorët për mikrofonin e TVA1 REPORT. Ata duken tepër të indinjuar. Policia nuk lejon kamerat të filmojë teksa nis prishja.

Në një moment disa banorë u përballen me forcat e policisë. Ata refuzojnë të lënë shtëpitë e tyre pa marrë një zgjidhje, ndërsa Përmbarimi ndërhyn me një dokument në dorë ku pretendohet pronësia e ish-pronarëve.

GREVISTET DHE AVOKATI SHPREHEN

Dhjetë banorët grevistë kaluan një tjetër natë të mundimshme në ambientet e provizuara prapa godinës ku deri dhjetë ditë më parë banonin, por më pas u nxorrën jashtë me dhunë.

Që prej 25 prillit, sot në ditën e 8 të grevës së urisë, 3 prej banorëve, njëri i sëmurë me zemër, marrin mjekim. Ndërsa Arjan Xhaferri prej 2 ditësh nuk pranon të marrë ndihmë. Gjëndja e tyre shëndetësore dhe për më tepër psikologjike sa vjen e rëndohet.

“Më tha doktori të shkoj në spital, por do qëndroj në grevë. Do të çoj grevën deri në fund. Edhe thirrje nuk kam mn fuqi ta bëj”- thotë Mirela. Ata janë të vendosur ta çojnë deri në fund grevën, të cilën po e zhvillojnë prapa godinës ku jetonin prej dhjetra vitesh dhe sot ajo ndodhet e kyçur, pasi Përmbarimi ekzekutoi urdhërvendimin për lirimin e banesës dhe dhënien e saj në dorë të pronarit. Greva e urisë në rrugën "Margarita Tutulani", pranë shkollës "Petro Nini" Tiranë.

Avokati i banorëve Agron Gjebia thotë se është shkelur akti normativ për lirimin e banesave dhe se gjykata ka nxjerrë një urdhërekzekutim të paargumentuar.

Avokati i 13 familjeve, ngritën padi penale ndaj Entit Kombëtar, duke e akuzuar këtë të fundit të për shkelje ligjore. Ndërsa për të tretën herë, dje grevistët janë vizituar nga deputeti socialist Sajmir Tahiri i cili ka thënë se me këtë akt qeveria do të mbyllë hesapet para se të ikë.

Më 23 prill godina tre katëshe në lagjen “Margarita Tutulani” u zbraz nga zyra e përmbarimit me ndihmën e policisë private dhe policisë së shtetit për t’ju kthyer pronarit, në bazë të një vendimi gjyqësor, por banorët pretendojnë se pronari është fantazëm, dhe ka fituar gjyqin me dokumente të falsifikuara. Ata kërkojnë rihapjen e procesit gjyqësor ose ndihmë nga autoritetet për lehtësi në strehimin e tyre diku tjetër.

Redaksia online
(ar.sh/s.g/shqiptarja.com)