Tiranës i është shtuar sot edhe një bibliotekë e re. Universiteti Amerikan i Tiranës përuroi sot bibliotekën “Nexhat dhe Manush Peshkëpia” me afro 50 mijë libra nga SHBA për çdo fushë të dijes dhe shkencave.

“Këta libra ofrojnë bazën për gjithë studentët në Tiranë dhe në Shqipëri që të nisin rrugën e zbulimeve shkencore. Sot mes ekonomisë së pasigurt dhe ndryshimeve globale të vazhdueshme është më e rëndësishme se kurrë të jesh i shkolluar dhe i vetëdijshëm se si funksionon kjo botë” - tha në ceremoni Trejsi Teilor, drejtore e projektit ndërkombëtar të librit.

Biblioteka “Nexhat dhe Manush Peshkëpia” mban emrat e dy vëllezërve të njohur në bibliofilinë shqiptare para luftës së dytë botërore. Biblioteka e familjes Peshkëpia ka qenë një nga më të shquarat në Shqipërinë e viteve 40, por ajo u sekuestrua nga regjimi komunist pas pushkatimit të Manush Peshkëpisë.