TIRANE-Një 40 vjeçar është vënë në pranga nga policia në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim nga Italia për pjesëmarrje në organizatë kriminal e trafikim narkotikësh.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, gjatë kontrolleve të bëra kanë ndaluar 40 vjeçarin me inicialet E.P, i cili lëvizte me automjet tip ‘Nissan’ në rrugën ‘Dritan Hoxha’, ku iu gjet dhe sekuestrua një shkop metalik.
‘Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, shtetasi E. P., 40 vjeç, rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Në vijim të veprimeve Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë nr dy, bënë arrestimin provizor me qëllim ekstradimi të 40 vjeçarit’, njoftoi sot policia.
Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e tij, në Itali.