TIRANE- Ndonëse të gjitha institucionet që kanë nënshkruar një marrëveshje me Bashkinë e Tiranës për përfitimet që çdo student që zotëron “Kartën e Studentitn” duhet të ketë, në shumë prej tyre kjo gjë nuk ndodh dhe në disa të tjera punonjësit e sporteleve as nuk janë në dijeni të këtij fakti.

“Karta e Studentit” ishte një prej projekteve më premtuese për të rinjtë të bërë në fillimin e mandatit të tij nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Por vështirsitë  me të cilin përballen studentët për përfitimin e kësaj karte, nuk e justifikojnë vlefshmërinë që realisht ajo ka.

Kjo është edhe arsyeja që shumë prej studentëve e kanë braktisur këtë inisiativë apo edhe pse kanë aplikuar nuk kanë qënë të interesuar ti tërheqin kartat e tyre. Lehtësirat që studentët duhet të kishin përfshijnë çmime të reduktuara në shërbime publike por edhe në ato private, siç janë mjetet e transportit, bankat, kinematë, teatrot, qëndrat tregëtare.Shqiptarja.com u interesua ditën e djeshme në disa prej institucioneve që janë në kontratë me Bashkinë, për përfitimet që çdo i ri  duhet të ketë nga pajisja me kartën e studentit.

Në Teatrin Kombëtar teksa pyet për lehtësirat që ke nëse ke një kartë studenti, përgjigja që merr është se duhet të presësh derisa në skenë të ngjitet një shfaqe e Teatrit Kombëtar, pasi ajo që po vazhdon të shfaqet është një shfaqe private por siç e deklarojnë edhe vetë punonjëset nuk ka ndodhur ende që të bëjnë lehtësira për student që zotërojnë kartën e studentit. Në Galerinë Kombëtare të Arteve punonjësja ngre supet kur e pyesim nëse përfitojmë ulje në biletë nëse kemi një kartë studenti. “

Ja të pyes njëherë, por nuk besoj”, përgjigjet e çuditur punonjësja e Galerisë së Arteve. Të njëjtën përgjigje e marim edhe në një prej pikave të kompanisë “Abcom”, ku vajza që përgjigjet për ofertat tregon për Shqiptarja.com se asnjëherë nuk ka bërë ulje për kategorinë e studentëve, por ata janë trajtuar si të gjithë klientët e tjerë. Në disa prej bankave punonjësit e sporteleve thonë se përveç kartës së studentit, kushdo që e zotëron atë duhet të ketë edhe vërtetime nga shkollat përkatëse për të përfituar nga uljet që parashikohen, ndonëse në kartë janë të shkruajtura të gjitha gjeneralitetet dhe të dhënat që i përkasin studentit. Edhe pse thuajse jo-funksionale për të marrë kartën e studentit, të rinjtë presin më shumë se dy muaj ndërkohë që vlefshmëria e saj është vetëm 1 vit.

Paketa e përfitimeve që ofrohen nga Karta Bashkiake e Studentit
Ulje çmimi 30% në 2 kinematë e Tiranës, kinema “Millenium” dhe “Imperial”.
Teatri Metropol ofron hyrjen falas, për të gjithë poseduesit e Kartës së Studentit.
Posta Shqiptare do të ofrojë 10% ulje për të gjitha shërbimet e saj.
Spitali Amerikan dhe spitali “Hygeia” ofrojnë 20% ulje çmimi, për të gjitha diagnostikimet dhe 10%, nëse ata do të kenë nevojë të qëndrojnë në spital.
Në të gjithë dyqanet e “Fashion Group” do të ketë 10% zbritje.
“Abcom” do të ofrojë zbritje 25% nga ofertat e saj zyrtare.
“Abissnet” do të ofrojë ulje 15% nga ofertat e saj zyrtare.
“BTC Albania” do të ofrojë 50% ulje, për të gjitha produktet e saj.
“Neptun” ofron ulje 10% për laptopët  dhe paketa shërbimi interneti 3 G falas, për 3 muaj.
 
Shkrimi u publikua sot (12.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)