TIRANË - Një pistoletë gjysmë automatike, e modelit “Vektor”, prodhuar në Afrikën e Jugut u sekuestrua nga forcat “Shqiponja” të Policisë së Tiranës, mbrëmjen e së martës, 21 tetor. Arma ishte në pronësi të Ismet Gaxherrit, 39 vjeç, për të cilin që më herët blutë kishin informacion se lëvizte me armë pa leje me vete në makinë.
Gaxherri, emër jo i panjohur për policinë e kryeqytetit, u ndalua me makinën e tij “Mercedes Benz” në bulevardin “Bajram Curri”. Arma me fishekë u gjet në një hapësirë të brendshme të sediljes, pas kontrollit të plotë të makinës, çka çoi në arrestimin e 39-vjeçarit për armëmbajte pa leje.
“Në vijim të operacioneve policore, kundër armëmbajtjes pa leje, të zhvilluara si rezultat i punës së mirorganizuar operacionale dhe informative, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, finalizuan operacionin “Bulevardi”.
Në bazë të informacioneve të siguruara, në bulevardin “Bajram Curri”, u ndalua automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin I. G., 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit, u gjet në automjet, 1 armë zjarri pistoletë me municion, të cilët 39-vjeçari e posedonte pa leje. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, shtetasi I. G. u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, njoftoi sot policia.
Ismet Gaxherri rezulton të jetë një prej pronarëve të restorantit “Muraga” në Linzë, ku më 11 nëntor 2015 u kthye në një masakër të vërtetë plumbash. Në atë ngjarje, Gaxherri mbeti i plagosur, ndërsa viktimë mbeti Enton Nikaj. Ngjarja ndodhi në parkingun e lokalit, ku disa persona, mes tyre i zhdukuri Ervis Martinaj, kishin drekuar në lokal dhe në momentin e largimit kanë parë Nikajn dhe Ismet Gaxherrin.
Ishte Martinaj që fillimisht thirri viktimën, dhe në pak çaste situata u tensionua, duke u përfshirë në sherr fizik. Një prej tyre, Emiljano Tasho, qëlloi me pistoletë duke lënë të vdekur Nikajn dhe të plagosur Gaxherrin.

Ismet Gaxherri, Ervis Martinaj dhe Enton Nikaj në sherrin e 2015-ës
Në lidhje me ngjarjen, me vendim të Gjykatës së Apelit të Tiranës, u dënua vetëm Emiljano Tasho, me 14 vjet burg, ndërsa u pushua çështja ndaj personave të tjerë të përfshirë në konflikt, Ervis Martinaj, Bujar Hasani dhe Mirsan Kuçana. Sipas gjykatës, për 3 të fundit nuk është provuar kryerja e asnjë vepre penale.
Komente









