TIRANE - Leonat Gavelli, apo i njohur edhe me emrin Leonard Gavelli, i rrëmbyer mbrëmjen e të martës me 17 mars nga tre persona ende të paidentifikuar, deklaroi dje në polici se ai ishte rrëmbyer gabimisht nga personat që e futën me forcë në një veturë pranë liqenit të Tiranës.

Gavelli, 42 vjeç nga Berati, banues pranë zonës së liqenit të thatë I tha policisë se personat ishin bindur që kishin ngatërruar person dhe e kishin lënë të lirë. Dyshimet e policisë janë se rrëmbyesit kanë kërkuar vëllain e Gavellit, i cili tashmë është jashtë vendit.

Për këtë shkak, policia po pret mbërritjen e vëllait të tij nga jashtë vendit për të marrë një deklarim më të detajuar në lidhje me konfliktet që ai ka. 

Leonard Gavelli, mbrëmjen e të martës, ishte pranë zonës së liqenit artificial pranë një shkolle private ku mëson edhe një nga fëmijët e tij. Në momentin kur u rrëmbye, Ai ishte në shoqërinë e tre miqve të tij dhe kishte mbërritur në zonë me një mjet në pronësi të tij fuoristradë “Mercedez Benz”.

Tre persona me armë dhe me maska iu afruan vendit ku ndodhej Gavelli me forcë dhe nën kërcënimin e armëve detyruan atë të futej në një mjet fiat me ngjyrë të bardhë.

Pas alarmit, policia mbërriti në zonë, duke kryer kërkimet dhe marrjen e deklarimeve të miqve të Gavellit ndërsa sekuestroi edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë së disa objekteve pranë vendit të ngjarjes.

Më tepër se 8 orë pas denoncimit të rrëmbimit, Gavelli u la i lirë. Gavelli është i njohur për autoritetet e drejtësisë dhe të policisë, pasi në vitin 2007, është proceduar nga organi i akuzës për trafik të lëndëve narkotike.

Rasti i mësipërm, po hetohet për veprën penale të rrëmbimit dhe mbajtjes peng të personit, heqjes së paligjshme të lirisë si dhe armëmbajtje pa leje.
 
gavelli
Ora 11:30 Njoftimi i plotë i policisë
Nё vijim tё informacionit pёr rrёmbimin nga tre personba tё armatosur tё shtetasit Leonat Gavelli, datё 18.03.2015 rreth orёs 00:37 ёshtё lёnё i lirё nga rrёmbyesit shtetasi Leonat Gavelli.

Nga verifikimet paraprake, ndaj kёtij shtetasi nuk ёshtё ushtruar dhunё fizike. Po punohet pёr sqarimin e rrethanave tё ngjarjes dhe identifikimin e personave tё pёrfshirё nё heqjen e paligjshme tё lirisё sё kёtij shtetasi.


Ora 08.50 Lirohet pengu

Ora 01.00/ 18 mars. Njoftimi zyrtar i Policisë për ngjarjen

Më date 17 mars 2015 rreth ores 20.00 Salla operative ka marre njoftim se tre persona të armatosur kanë rrëmbyer një 43-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Liqenit Artificial, në kohët kur shtetasi i rrëmbyer Lenat Gavelli ndodhej në një lokal. Paraprakisht dyshohet se autoret menjëherë pasi e kanë marrë me forcë dhe te armatosur janë larguar me një automjet tip “bmë". Aktualisht nga strukturat e Policisë ka nisur menjëherë veprimet në terren, duke ngritur pika kontrolli në disa rrugë hyrëse e dalëse të Tiranës, të rrugës nacionale dhe te qytetit te Elbasanit si dhe duke punuar intesivisht per kapjen e autoreve.Shtetasi i rrembyer dyshohet të jetë shtetasi Leonat Gavelli nga Berati, një emër i njohur për drejtësinë, pasi në vitin 2007 ai është proceduar për trafik të lëndëve narkotike.   Po punohet intensivisht për verifikimin e çdo informacioni në lidhje me ngjarjen dhe aksioni i pokicise se Tiranes do të vazhdojë deri në zbulimin e rrethanave dhe arrestimin e autorëve të dyshuar të kësaj pengmarrjeje. 

Te gjitha zhvillimet mbremjen e 17 Marsit

Ora 21:45
Policia merr në pyetje shokët e Gavellit, sekuestrohen pamjet e kamerave të sigurisë

Policia ka marrë në pyetje 3 shokët e Leonat Gavellit, për të zbardhur edhe arsyet e pengmarrjes. Mësohet se policia ka sekuestruar edhe pamjet e sigurisë të një shkolle private, pranë vendit ku u rrëmbye Leonat Gavellit

Ora 21.15 Gavelli, kreu i rrjetit të trafikut Kolumbi-Itali
Leonat Gavelli nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai së bashku me vëllain e tij Bledarin dhe kushëririn Sajmir Gavelli (Petova) janë konsideruar nga autoritetet italiane si drejtues të rrjetit të trafikut që sillte kokainë nga Kolumbia për ta shitur në tregun e vendit fqinj, por edhe në Zvicër. Sipas hetimeve të nisura në vitin 2007 nga policia italiane, për trafikantët shqiptarë punonin korrierë italianë dhe kolumbianë të cilët transportonin kokainën. Leonati mësohet se vepronte në Kolumbi ku siguronte lëndën narkotike dhe ja dorëzonte më tej vëllait dhe kushëririt në Itali. Dy vëllezërit beratas janë dënuar nga gjykata italiane, ndërsa kushëriri i tyre Sajmir Gavelli është gjykuar në Shqipëri.
 
Për shkak të sofistikimit që kishte ky rrjet i trafikut të drogës, autoritetet italiane mundën të kapin vetëm 3.5 kilogramë kokainë nëpërmjet përgjimeve, e trafikuar nga Kolumbia në Itali gjatë periudhës 2003-2004.


Ora 21:00 Dy makina të përfshira në pengmarrje
Sipas raportimit nga terreni të gazetarit të A1 Report Arsen Rusta, ka qenë një telefonatë në sallën operative të policisë rreth orës 20:15 minuta që ka vënë në dijeni uniformat blu të kryeqytetit për pengmarrjen. Sipas raportimeve të fundit në pengmarrje janë përfshirë dy automjeteve, një prej të cilave është Fiat e bardhë me targa AA 679 FK. 


Ora 20:35 Ngrihen postblloqe për të kapur autorët
Policia ka ngritur postblloqe për të mundësuar kapjen e autorëve të cilët u larguan me automjet pasi rrëmbyen 43-vjeçarin.