TIRANË- Pas dy javësh të ngujuara në banesën e tyre të tretë të banimit dy vajzat e familjes Milo kanë mundur të dalin. 

Kanë qëndruar aty që prej datës 11 prill kur Inspektoriati Nërtimor Urbanistik Kombëtar, u shembi shkallët e jashtme si të paligjshme, pa një leje ndërtimi dhe të rrezikshme. Por nuk ishte ky problemi i vetëm që nuk i lejonte 4 pjesëtarët e familjet Milo të ngjiteshin në shtëpi. 

Bashkëshortja e ish-anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Pajtim Hoxhës, kishte blerë hyrjen e shkallëve dhe përshtatur në ambjente banimi, duke bllokuar kalimin për në dy katet e sipërme.Tatjana Milo tregon për “A1 Report” se problemi i pronësisë ka nisur që në gusht të vitit 2012 dhe gjykata nuk ka dhënë asnjë zgjidhje dhe as përmbarimi shtetëror nuk ka ndërhyrë.  Ajo thotë gjithashtu, ka thënë se përpara ka pasur probleme me ish-ministrin Enkelejd Alibeaj që donte t’i përshtate ambientet e ndërtesës në zyra. Ajo tregon se në këto dy javë, dy vajzave të saj 23 dhe 25 vjeç, u ka siguruar ushqim dhe nevoja të tjera nëpërmjet litarit. 

Përmbaruesi privat ka ekzekutuar vendimin e gjykatës për hapjen e ambjentit të kafazit të shkallëve deri në një vendim tjetër.

Në godinë ka mbërritur edhe përfqësuesi i INUK për të vlerësuar ndryshimin e funksionimit të objektit

Lejla Shijaku, pronarja e godinës që u ka shitur hyrje edhe familjes Milos dhe familjes Hoxha, tregon një vendim gjykate ku ambjenti i përbashkët ku ndodheshin shkallët nuk klasifikohet më si i tillë

Përmbarimi lejoi zbritjen e vajzave këtë herë, por për të rregulluar një herë e mirë bashkëjetesën e familjeve në në këtë godinë do të duhet një vendim i menduar mirë dhe i ligjshëm i gjyqësorit.

Petraq Milo, i zoti i shtëpisë,i çliruar nga ankthi i gjatë tha: "Nuk do t‘jua uroja që kur të bëheni prindër t’u krijohen këto shqetësime, fëmijëve tuaj. Shumë falemnderit, edhe njëherë."

Bashkëshortja e tij, po ashtu shtoi: "Eshtë shumë e turpshme që ajo zyrë e ZRP-së që e regjistroi dhe ai noter që i vuri vulën për shitje, një ambienti të përbashkët. Eshtë e ulët që ne arrijmë në këtë paradoks. Kjo është një hyrje në kafaz të shkallëve; nuk mund të banojë një njeri që ka dy pare mend në atë vend." E ndërsa flet, ajo shpreh edhe shqetësimin për vajzën e saj, e cila vetëm 4 ditë para izolimit në banesë ishte operuar. "Vajza duhet të mjekohet, se në datën 7 është operuar dhe në datën 10 ka zbritur vetëm një herë për të hequr penjtë me shkallët e muratorit nga banesa e vet... Vajzat ndihen të fyera për gjithcka që ndodhi,"- tha ajo.

Dhe në përfundim, njera prej vajzave të bllokuara në shtëpinë pa shkallë, duke e harruar trishtimin dhe vuajtjen e e mbi 10 ditëve, tregoi me buzë në gaz sesi e kishte përballuar pa prindërit pranë, periudhën pas operacionit: "Ditën e parë na solli babi një litar, pastaj një litar tjetër të sajuar më mirë me një ganxhë.  Motrën e kam mjeke dhe më mjekonte plagën, edhe mamin mjeke, që më sillte ilaçet. Por nuk mendoj aspak të jetë normale që unë të mos dal nga shkallët e një ambienti, - vërejti ajo.

Redaksia online
(arsh/esh/shqiptarja.com)