Tiranë - Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast veprimtarie të paligjshme në fushën e lojërave të fatit.

Gjatë operacionit në një lokal në Farkë dhe Mullet ranë në pranga katër persona mes tyre, pronari i njërit prej lokaleve, një 18-vjeçar, 20 dhe 29-vjeçar.

Blutë sekuestruan si provë materiale 1 makinetë për lojëra fati, 1 kompjuter, 4 celularë dhe një shumë parash. 

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme që mund të vihen në dispozicion për organizimin e kësaj veprimtarie.

Gjatë kontrolleve nga shërbimet e Policisë, në fshatin Mullet, në lokalin e shtetasit R. K., u gjet 1 makinetë për lojëra fati. 

Në vijim të veprimeve për këtë rast u arrestuan shtetasit R. K., 36 vjeç (pronari i lokalit) dhe K. K., 29 vjeç, i cili u kap në lokal, duke luajtur lojëra fati.

Gjithashtu, u arrestuan shtetasit F. A., 20 vjeç dhe E. V., 18 vjeç, pasi u kapën në një lokal tjetër në Farkë, duke luajtur lojëra fati. 

Gjatë kontrolleve në këto dy lokale, u gjetën dhe u sekuestruan 1 makinetë për lojëra fati, 1 kompjuter, 4 celularë dhe një shumë parash. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë.