Më tipikja është ajo çfarë po ndodh në çerdhen nr.10 në kryeqytetet. E shpallur një vit më parë si një ndër "10 personalitet e vitit 2010", ku i gjithë personeli mori një mirënjohje publike për përkushtimin ndaj fëmijëve, që nga tetori i këtij viti ajo po kalon në sitë. Deri më tani u ka rënë lapsi tre punonjësve të kësaj çerdheje, ndërkohë që edhe të tjerët ndihen të pasigurtë dhe në ankth për 'surprizat" që mund t'i presin. "Shikojmë me dyshim çdo person të panjohur që kërkon të na takojë.
Kemi frikë se mos janë nga bashkia e na sjellin ndonjë letër për largim nga puna, ashtu siç u ndodhi dy kolegeve tona", - na thonë punonjëset e kësaj çerdheje. Rreth dy javë më parë, njërës prej edukatoreve më të vjetra të kësaj çerdheje, i erdhi vendimi për largim nga puna, pa asnjë lloj motivacioni, dhe e çuan sanitare në një çerdhe tjetër jashtë Tiranës. Prindërit u shprehën mjaft të shqetësuar, pasi fëmijët jo vetëm ishin mësuar me të, por sipas tyre, ishte njëra ndër kujdestaret më të mira të fëmijëve, ndërsa tani, duhet të fillojnë të përshtatetn edhe njëherë nga fillimi me një edukatore tjetër.
Teksa flasin për kolegen e tyre, edukatoret e kësaj çerdhjeje na thonë se nuk mund të veprohet në këtë mënyrë. "Edhe nëse ajo do të kishte bërë ndonjë shkelje, i jepet një herë vërejtje, pastaj paralajmërimi për largim nga detyra dhe në fund vjen vendimi për largimin nga detyra, por jo kështu, krejt papritur", - na thonë ata.
Në fillim të kësaj jave i ka ardhur radha një tjetër kujdestareje të fëmijëve në këtë çerdhe, me motivacionin se nuk ka arsimim e duhur. Dhe ç'është e vërteta ajo nuk ka arimimin përkatës, dhe aktualisht po përfundon vitin e fundit të shkollës së mesme me korespondecë, por ka një eksperiencë gati 30-vjeçare si edukatore dhe bën pjesë tek ajo kategori punonjësish, që megjithëse nuk kanë arsimimin përkatës, sipas ligjit, duhet të shihen me prioritet edhe për eksperincën që kanë dhe moshën afër pensionit. Ndërsa personi i tretë që i është prekur kësaj çerdheje është kaldaisti.
Nuk është se vendet e punës së këtyre personave që janë larguar nga çerdhja nr.10, janë shkrirë për shkak të risktrukturimit të ri që bashkia e Tiranës ka bërë në disa ndërmarrje të saj, që është edhe Qendra për Edukimin dhe Zhvillimin e Fëmijëve, nga e cila varen çerdhet. Ata thjesht janë larguar nga puna, pa motivacion, dhe janë zëvendësuar me të tjerë.
Por kjo situatë nuk ka ndodhur vetëm në çerdhen nr.10 në kryeqytet. Thuajse në të gjitha këto institucione, ndihet frika e largimeve nga detyra, për shkak të ndryshimit të kreut të bashkisë së Tiranës. Ata pranojnë se të lëvizin drejtorët është edhe e kuptueshme, por sipas tyre, personeli i thjeshtë nuk duhet prekur me dorë.
(shqiptarja.com)