Tiranë - Një 40-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit. I arrestuari i identifikuar si Mishel Prela ose ndryshe i njohur edhe si Mishel Manoku. Sipas njoftimit të bluve një ditë më parë Prela ka kryer manovra të rrezikshme me automjet në rrugën “Ibrahim Rugova”, teksa ishte nën efektin e lëndëve narkotike.
Pavarësisht urdhërit të policisë për të ndaluar, 40-vjeçari i cili lëvizte edhe pa patentë nuk i është bindur por ka shtuar shpejtësinë dhe ka përplasur edhe makinën e efektivëve. Pas disa minutash ai u kap në sheshin “Wilson”. Gjatë kontrollit policia gjeti një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë e cila u sekuestrua si provë materiale.
40-vjeçari nuk është një emër i panjohur për drejtësinë,pasi ka qenë edhe më parë i dënuar me burg. Në vitin 2017 ai shpëtoi një atentati të ndodhur pranë shkollës 'Partizani' në Tiranë. Sipas hetimeve të atëhershme dyshohet se antentati ku mori 2 plumba kishte lidhje me një plagosje me thikë të ndodhur në gusht të 2010-ës.
Po ashtu në 2014-ën, 41-vjeçari ka dhunuar njerkun në banesën ku jeronte edhe nëna e tij me pretendimin se ai i kishte borxhe. Së bashku me shokun e tij Prela i theu orenditë shtëpiake dhe mori edhe në televoizor.
Njoftimi i policisë
Gjatë patrullimeve të shtuara gjatë fundjavës, me objektiva garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në rrugën “Ibrahim Rugova”, kanë konstatuar një shtetas që kryente manovra të rrezikshme me automjetin që drejtonte, dhe për këtë arsye i kanë bërë shenjë ndalimi.
Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të përsëritur të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes, përplasi automjetin e Policisë duke rrezikuar, jetën e punonjësve të Policisë.
Shërbimet e Policisë i janë vënë menjëherë në ndjekje, dhe në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të operacionit të koduar “Efekti”, kanë mundësuar kapjen pas disa minutash, te sheshi “Wilson”, dhe arrestimin e drejtuesit të automjetit, shtetasit M. P., 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka kundërshtuar me dhunë, efektivët, dhe gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ai e drejtonte automjetin, në efektin e lëndëve narkotike dhe të alkoolit dhe pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit në automjet u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










