Ngjarja
Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan në Tiranë rreth orës 14:30 minuta në rrugën “Hoxha Tahsim”, pikërisht në vendin e quajtur “Xhamlliku”. Sipas policisë ngjarja ndodhi si pasojë e një konflikti banal, ku i plagosur mbeti 26 vjeçari nga Miloti Xhevahir Shabani.
Ky i fundit ishte duke lëvizur me një makinë tip “Golf 6” ngjyrë gri me targa të huaja, dhe ishte duke ecur paralelisht me një motoçikletë. I pari që ka ndaluar ka qenë 26 vjeçari ku fillimisht ka ofenduar rëndë personin që ndodhej në motoçikletë e më pas ka vëzhguar makinën nëse kishtë pësuar gërvishtje ose jo, pasi mësohet se nuk ishte në pronësi të tij. Pikërisht në këtë moment, drejtuesi i motoçikletës i cili ka dëgjuar ofendimet ndaj tij, ka ndaluar shpejtësinë dhe menjëherë ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar mbi 26 vjeçarin.
I riu nga Miloti u qëllua me dy plumba në bark, ndërsa autori i ngjarjes u largua me motoçikletën tip “Kawasaki” me ngjyrë të zezë. Ndërkohë, policia e cila mbërriti në vendin e ngjarjes i dha ndihmën e shpejtë të plagosurit, si dhe nisi punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, për identifikimin, gjetjen dhe vënien në pranga të autorit, duke ngritur postoblloqe të shumta policie.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan 2 gëzhoja të një pistolete si u morën në pyetje persona të cilët ndodheshin aty në momentin e ngjarjes. Po ashtu, policia sekuestroi edhe kamerat e disa bizneseve aty pranë për të identifikuar personin që lëviste me motoçikletë, pasi ishte edhe pa kaskë mbrojtëse.
Dëshmitarët
“Dëgjova dikë që ishte duke kërkuar ndihmë. Dola nga dyqani dhe pashë një djalë të ri që rrinte i shtrirë në tokë”. Kështu u shpreh për gazetën “Shqiptarja.com” një grua rreth të 40-ve e cila punonte në një lavanteri aty pranë.
Gruaja e cila ndodhej e tronditur nga ngjarja në fjalë tha se nuk kishte dëgjuar asnjë të shtënë si pasojë e zhurmës që kishte në dyqan, ndërsa plagosjen e kishte marrë vesh nga një person i cili kishte hyrë në dyqan nga të shtënat. “Në dyqan hyri një person i cili më tha i tronditur: “Hyra këtu se dëgjova të shtëna”. Pas këtyre fjalëve dola dhe aty para (bën me shenjë vendin ku ndodhi ngjarja) pashë një djalë të ri i cili ishte i gjakosur dhe bërtiste: “Ju lutem më ndihmoni. Më çoni në spital se jam duke vdekur”. Në këtë moment erdhi policia dhe një burrë e ngriti djalin dhe e futi në një makinë për ta çuar në spital”, tha gruaja.