Vetratat prej xhami të një pallati në qendër të Tiranës janë kthyer këtë fundjavë në një rrezik për banorët e kryeqytetit ku fatmirësisht nuk ka pasur pasoja, por nëse nuk ndërhyhet në kohë nesër mund të jetë vonë.

Pallati i ndërtuar prej 12 vitesh me këtë fasadë dhe rrëzimi i pllakave të xhamave nuk është hera e parë. E përsëritur për të tretën herë, pasojat e sotme janë të konsiderueshme. Automjeti është dëmtuar, xhamat janë shpërndarë gjithandej, ndërsa banorët kanë shpëtuar për pak’ raporton gazetari i Report Tv Arsen Rusta.

"Në radhë të parë dua të bëj një falenderim për Zotin që na kurseu jetën. Një masiv i madh xhami ra, shpëtuam. Nuk mjaftojnë 3 – 4 policë që erdhën, sepse ata kanë ardhur gjithmonë. Herën e parë e herën e dytë nuk bënë asnjë gjë. Apeli im është që kryetari i Bashkisë së Tiranës, nënkryetari dhe të gjithë institucionet duhet të vënë dorë. Ti përdorin si duhet taksat tona. Në fund të fundit, të parandalojnë krimin e radhës” tha Andoni, një nga qytetarët e pranishëm në vendin ku ka rënë xhami.

Kjo është një zonë mjaft e frekuentuar dhe nga këmbësorët në qendër të Tiranës çka e bën urgjente ndërhyrjen për të riparuar këto vetrata që nesër mund të shkaktojnë pasojë në jetë njerëzish.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)