Ditën e sotme tre persona kanë humbur jetën nga aksidentet rrugore në Tiranë, Sarandë dhe në Shkodër. Në mesditë në rrugën nacionale Sarandë-Gjirokastër në vendin e quajtur Vrion duke kaluar rrugën u përplas për vdekje nga një makinë Kosta Kaçi rreth 75 vjeç. Policia ka shoqëruar për të dhënë sqarime drejtuesin e automjetit me targë SR 5807 B me inicialet I.Ç. 43 vjeç
Në mbrëmje një 60-vjeçar humbi jetën në Prezë po si pasojë e një aksidenti. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:56 ku automjeti me drejtues A. L. aksidentoi 60-vjeçarin që po kalonte në rrugë. Si pasojë e dëmtimeve të marra këmbësori ndërroi jetë. Drejtuesi i automjetit me inicialet A. L është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme hetimore.
Po rreth orës 17:00 u regjistrua aksidenti i tretë me vdekje brenda ditës në veri në aksin Shkodër - Muriqan. Aksidenti me vdekje është regjistruar në afërsi të fshatit Oblike. Në aksident janë përfshirë dy motorë ku si pasoje e përplasjes njeri drejtues ka humbur jetën, Bashkim Et'hemi 45-vjec. Drejtuesi tjetër me inicialet Gëzim Hyseni 57-vjeç, banues në lagjen “10 Korriku” Shkodër ndodhet në spital.
Ndërkohë që rreth orës 18:00 një tjetër aksident u shënua në Fier. Një mjet si rezultat i reshjeve të rëna doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal anës rrugës. Ngjarja ndodhur në një kthesë në aksin rrugor Levan-Fier. Është njoftuar policia dhe me pas një ambulancë ka shkuar në vendin e ngjarjes. Në mjet ndodheshin dy persona të cilët kishin marrë plagë të lehta, ndërsa janë dërguar në spital, jashtë rrezikut. Pasdite në Mbrostar një mjet tip Benz u përfshi nga flakët për shkak të një defekti teknik.
Një tjetër aksident është shënuar edhe në Elbasan, por vetëm me dëme materiale. Dy automjete njeri tip Benz dhe tjetri tip Ford janë përplasur në aksin Elbasan-Metalurgji. Shkak është bërë prerja e rrugës së njërit prej automjeteve si dhe ka ndikuar asfalti i lagur nga reshjet e shiut që ranë pasdite.