Një 27-vjeçar në Tiranë është arrestuar nga ‘Shqiponjat’ pasi është kapur me drogë.

Ai ndodhej brenda një makine të parkuar në rrugën “Jordan Misja” duke ndarë në doza kokainën, kanabisin dhe përzierje ‘crack’, me qëllimin për t'i shitur. Sapo pa efektivët, u përpoq të largohej me vrap, por nuk ia doli të arratisej.

Veç lëndës narkotike, në makinë iu gjetën edhe fishekë të cilat janë sekuestruar bashkë me drogën.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Shërbimet “Shqiponja” godasin një tjetër rast të shitjes së lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme.

Sekuestrohen doza të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, përzierje Crack dhe municion luftarak.

Kapet në një automjet të parkuar në rrugën “Jordan Misja”, duke ndarë lëndët narkotike, me qëllim shitjen, 27-vjeçari, i cili sapo konstatoi shërbimet, tentoi të largohej me vrap.

Në vijim të aksioneve policore, për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe si rezultat i intensifikimit të punës operative me këtë objekt, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” goditën një tjetër rast të sigurimit të llojeve të ndryshme të lëndëve narkotike dhe shitjes së tyre në doza.

Për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve vunë në pranga shtetasin J. C., 27 vjeç, banues në Paskuqan.

Ai është konstatuar në një automjet të parkuar në rrugën “Jordan Misja”, duke ndarë lëndë narkotike, me qëllim shitjen në zona të ndryshme të kryeqytetit, dhe sapo ka parë shërbimet ka tentuar të largohet me vrap.

Pas kapjes, 27-vjeçarit i janë kryer kontrolle fizike dhe në automjet, si rezultat i të cilëve i janë gjetur doza të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, përzierje Crack dhe municion luftarak.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.