Pas të dhënave alarmante të Guardia di Finanza ku Shqipëria është kthyer në një republikë hashashi, operacioni në terren i uniformave blu e konfirmon më së miri këtë lajm.
Jo vetëm Lazarati ku ende nuk ndërhyhet, por dhe periferia e kryeqytetit ka plot parcela me bimën fitmiprurëse. Operacioni në Vrap është kryer nga forcat e antidrogës të komisariatit nr.1 dhe Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Fshati Vrap i përket komunës Baldushk.
Pasi kemi përshkuar km të tëra me asfalt, hyjmë në një rrugë të pashtruar që të çon në parcelën e hashashit që është vendosur të asgjesohet me anën e një operacioni “Blic”.
Kalojmë nëpër shtigje të sajuara derisa arrijmë në parcelën e hashashit, ndërsa inspektorët dhe uniformat blu kanë mision asgjesimin e bimëve narkotike. Shefi i postës së Baldushkut, Bedri Hasanaj, ka komunikuar me inspektorin e zonës dhe tashmë jemi afër zonës ku do bëhet asgjesimi.
(Asgjesimi, nga policia, i parcelave me kanabis sot në fshatin Vrap të Tiranës)
NENA E KULTIVUESIT TE KANABISIT, SERVETE RAMUSHI: ME SE TE JETOJME?
Pranë nesh, duke kullotur lopën, ndodhet një zonjë rreth 70-vjeç, Servete Ramushi, djali i së cilës është i dyshuari për mbledhjen e 2 parcelave me kanabis, që po asgjesohen nga policia. E pyesim:
Gazetari: Si quhet djali juaj?
Servetja: Petrit, Petrit Ramushi.
Gazetari: Sa vjeç është?
Servetja: Po sa i bie, ditëlindja ’71…
Gazetari: Çfarë është bimë që keni mbjellë?
Servetja: Nëna s’mund të shkojë e të pyesë, s’e njoh farë atë lloj, s’e kam idenë.
Gazetari: Po për të krijuar kushtet e përditshme, ujitje, prashitje,vaditje…
Servetja: Ku di unë, çuni merret…
Gazetari: Ju keni pension?
Servetja: 50 mijë merr nona, të kooperativës. Qysh jetohet?! E di vetë mo…
Gazetari: Po djali, a punon?
Servetja: Ku të punojë djali? Ja, me këto pra. Shet ndonjë viç lope. A rrihet me atë viç lope? Ai duhet të marrë ilaçet e mia muaj për muaj.
Gazetari: Është hera e parë që ju e kultivoni këtë?
Servetja: Hera e parë, për këtë zot, që e shof atë lloj bime.
Gazetari: Po ku i keni gjetur farat?
Servetja: Ku di nana, s’e njof fare atë lloj bime unë…
(Në foto: Servete Ramushi, nëna e Petrit Ramushit, të ndaluarit për kultivimin e kanabisit)
SHEFI I POSTES SE POLICISE: KISHIM INFORMACIONE TE GJITHANSHME PER MBJELLJEN E KANABISIT
Më pas, ia drejtojmë mikrofonin tonë, Shefit të Postës së Policisë, Bedri Hasanajt, i cili na tha:
“Kishim informacione nga strukturat e hetimit të krimit në Farkë si dhe nga specialisti i rendit të zonës se kishim të bënim me kultivimin e bimëve narkotike në këtë fshat. Pas identifikimit të autorit dhe verifikimit të vendit ku ndodhet kjo sasi bimë narkotike, u organizua një operacion, në bazë të cilit, Forcat e Sigurisë Publike Farkë dhe ato të Ndërhyrjes së Policisë Tiranë realizuan kapjen e autorëve të dyshuar si dhe asgjesimin e bimës narkotike, që u kultivua në këtë zonë.”
(Në foto: Bedri Hasanaj, Shefi i Postës së Policisë)
RRENJET E KANABISIT SILLEN ME KUTI TE POSACME
Në një cep të parcelës janë hedhur disa kuti, që janë paletat me të cilat është sjella fara e hashashit për t’u mbjellë në këtë zonë. Një paletë ka 40 mbajtëse rrënjësh hashashi. Aty janë 52 paleta, që llogariten në 2083 rrënjë për këtë sipërfaqe e që u asgjesuan sot, ndërsa pjesa tjetër do të asgjesohet në vazhdim të operacionit.
Ndërsa hashahi i mbjellë bie në tokë nga forcat blu, ai që del në pah është sistemi i vaditjes. Mbjellësi ka përdorur dhe një shatërvan përveç një rrjeti tokësor të mirëstruktuar për të garantuar vaditjen e gjithë siëprfaqes, që do të thotë se personi që posedon këtë parcelë toke por dhe këtë sasi bimësh narkotike, ka menduar më së miri sesi ta ndërtojë, kultivojë dhe pse jo, edhe si ta nxjerrë në treg, pavarësisht se mamaja e tij e moshuar mohon gjithçka.
Vec asgjesimit të rrënjëve të shumta me hashash, arrestimit të Petrit Ramushit, ndalimit të kryeplakut të fshatit, një pjesë tjetër do konsiderohet si provë materiale e janë pikërisht këto linja tubacioni dhe këto pompa të improvizuara në një përrua, që shërbenin si depozita me ujë për të vaditur bimën e hashashit, që siç dihet, konsumon tepër ujë.
KRYEPLAKU GANI RAMUSHI NUK PRANON TE FLASE, ARRESTOHET PAS PAK MINUTASH
I afrohemi me mikrofon kryeplakut të fshatit, Ganmi Ramushit, e pyesim a ndien përgjegjësi për këtë situatë fare afër banesës së tij dhe ai na kërkon të largohemi pasi nuk do t'ia dijë për këtë çështje, pavarësisht faktit se duke qënë në dijeni të kësaj vepre penale, mund të mbajë përgjegjësi para ligjit. Pak çaste më pas, ai arrestohet nga forcat e policisë.
(Në foto: Kryeplaku i fshatit, Gani Ramushi, që arrestohet pak çaste më pas)
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)