Tiranë- Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet se preu pemët dhe më pas i vuri zjarrin pyllit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Aksioni është kryer nga Komisariati nr. 4 në kryeqytet, kurse ngjarja njoftohet se ka ndodhur në territorin e fshatit Kutreq të njësisë Zall-Bastar. I ndaluari është O. D., 28 vjeç, për veprat penale "prerja e paligjshme e pyjeve" dhe "shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor".
“Ky shtetas dyshohet se ka prerë disa pemë në vendin e quajtur "Qafa e Kutreqit", në fshatin Kutreq, Zall-Bastar, dhe më pas i ka vënë zjarrin një pjese të pyllit”, sqaroi policia e kryeqytetit në lidhje me hetimet paraprake dhe dinamikën e krimit.
Dhe në fund të njoftimit për ndalimin, Policia bën një apel edhe për qytetarët, që “në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin”, teksa i fton ata që “të denoncojnë në numrin 112 për çdo rast të zjarrvënies ose çdo rast paligjshmërie”.