TIRANE –  Një grup qytetarësh shqiptarë kanë protestuar pasditen e sotme, në sheshin para Piramidës dhe pranë bllokut të ambasadave në Tiranë, kundër torturave të ushtruara ndaj të dënuarit shqiptar në Greqi, Ilia Kareli, vdekur në burgun grek të Nigritas. Me flamuj shqiptarë në duar, protestuesit kanë kënduar himnin kombëtar dhe janë përplasur edhe me policinë, e cila ka përdorur ndaj tyre edhe shkopinj gome për t'i shpërndarë.

Ndërkaq, në orët e mesnatës ka reaguar edhe Policia e Tiranës në lidhje me protestën e djeshme dhe akuzat e bëra ndaj saj për ushtrim dhune. Sipas tyre, nuk ka pasur leje për të zhvilluar këtë tubim-protestë para ambasadës së Greqisë.

ORA 07:30 POLICIA E TIRANES: NUK ISHTE MARRE LEJE PER PROTESTE, PATI KUNDERSHTIME
Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me protestën e djeshme dhe akuzat e bëra ndaj saj për ushtrim dhune. Me anë të një njoftimi për median, policia e kryeqytetit ka bërë të ditur se, organizatorët e kësaj proteste nuk ishte marrë leje dhe për këtë qëllim janë marrë masa për të siguruar zhvillimin e këtij tubimi.
 
“Nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, u morën masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të një tubimi, për të cilin nuk ishte marre leje pranë Policisë”, bëri të ditur Policia e Tiranës.
 
Me anë të një njoftimi për mediat të bërë në orët e mesnatës, policia tha se, “rreth orës 16:30, përpara “Piramidës” u konstatua grumbullim i rreth 500 personave. Nga strukturat e Policisë së Tiranës u mor takim me disa prej protestuesve, duke ju bërë me dije përgjegjësinë ligjore për zhvillimin e tubimit të pa ligjshëm.
 
“Pas grumbullimit te “Piramida”, vazhdoi lëvizja e tubuesve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Rruga e Kavajës drejt Ambasadës Greke. Për garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të protestës u morën masa për vendosjen e kordonëve  me punonjës policie të Komisariateve 1, 2, 3 dhe 4”, bën të ditur policia e kryeqytetit.
 
Sipas tyre, “nga ana e tubuesve u bë bllokimi i rrugës që lidh Rrugën e Kavajës me 21 Dhjetorin dhe po ashtu rruga që lidh 21 Dhjetorin me Sheshin Skënderbej, si dhe pati kundërshtime dhe mosbindje  nga ana e tubuesve, megjithë thirrjet e herëpashershme të bëra nga ana e policisë. Si rezultat u bë hapja e rrugës në të dy krahët. Policia shoqëroi 14 persona”.
 
“Nga Policia e Tiranës po hetohet tërësia e veprimeve të kryera gjatë këtij tubimi. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, gjithashtu do të analizohen në mënyrë të hollësishme të gjitha veprimet e punonjësve të policisë për menaximin e këtij tubimi dhe në rast se do të konstatohen shkelje të procedurave standarde ndaj përgjegjësve do të fillojë ecuria disiplinore”, bëri të ditur me anë të një komunikate policia e kryeqytetit.
 
“Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, njeh dhe respekton të drejtën e qytetarëve për zhvillimin e tubimeve paqësore, njëherazi i fton qytetarët të respektojnë kërkesat ligjore”, përfundon deklarata e Policisë së Tiranës në lidhje me protestën e zhvilluar ditën e djeshme.



ORA 18:22 PROTESTE E TE RINJVE TE AK PER VRASJEN E ILIA KARELIT
Protesta ka nisur para Piramidës, kryesisht të rinj të "Aleancës Kuq e Zi",  të cilët kanë ngritur flamuj shqiptarë dhe kanë grisur flamurin grek. Më pas, ata kanë shkuar në rrugën e Kavajës, pranë bllokut të ambasadave dhe kanë rrethuar ambasadën greke. Pikërisht aty,  kanë nisur të protestojnë e të thërrasin në kor, deri dhe fjalë fyese kundër shtetit grek, ç'ka ka sjellë ndërhyrjen e repartit special "Shqiponja", e cila ka përdorur edhe shkopinjtë e gomës kundër tyre për t'i shpërndarë.

Policia ka shoqëruar në komisariat, 26 protestues, të cilët po merren në pyetje. Disa prej protestuesve të lënduar nga policia janë: Jonard Agolli, Augent Xhaferaj, Albert Beshiti, Erald Sefa, Anila Nishani, Nuri Kola, Selami Fevizu,
Mariglen Duraj, Frances Manaj, Emiljano Vasha, Enja Sadikaj, Indrit Sullaj, Leonard Suli, Selim Malaj, Indrit Demiraj, Klodian Lacaj

Pas kësa proteste, deputeti demokrat - ish-ministri i Rendit, Flamur Noka, ka deklaruar para mediave se "dënon dhunën e policisë ndaj protestuesve."
 
protesta per karelin
protesta per karelin
protesta per karelin
(Foto/Nga protesta për vdekjen e Ilia Karelit në burgun e Nigritas)

ANGLI, SHQIPTARE TE REVOLTUAR NISIN NJE PETICION "ONLINE"
Torturat vdekjeprurëse ndaj të dënuarit shqiptar kanë nxitur revoltën qytetare jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. "UK Albanias Network" - një grup shqiptarësh në Angli, kanë nisur një peticion "online", përmes së cilit kërkojnë që vrasja e Karelit të dënohet sipas ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut.

Peticioni, në argumentimin e mbajtjes së tij, i drejtohet një sërë institucionesh të larta, si Avokatit të Popullit shqiptar dhe grek, Ministrisë greke të Drejtësis dhe Këshillit të Europës dhe shoqatave për Parandalimin e Torturave. 
Përmes peticionit kërkohet një hetim i drejtë dhe transparent për vdekjen e Ilia Karelit, nga troturat e gardianëve apo autoritet e burgut prej neglizhencës ose qëllimisht, dhe dënim maksimal me të gjithë forcën e ligjit.

Këtu mund të bëheni pjesë e peticionit
Peticion drejtuar autoriteteve

peticioni per karelin

Lajmi eshte publikuar fillimisht diten e djeshme 12 prill 2014 dhe eshte perditesuar ne vazhdim

Redaksia online
(arsh//es/gm/Shqiptarja.com)