Tiranë- Policia e Tiranës finalizoi sot (12 Nëntor) operacionin e koduar "Driver 2", nga Sektori i Forcës së Posaçme "Shqiponja", në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3.
Një 42-vjeçar është arrestuar i armatosur me pistoletë dhe municion luftarak.
Gjatë operacionit, burimet zyrtare konfirmuan se prangosën shtetasin M. V., banues në Paskuqan, për veprën penale "mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
“Bazuar në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur në rrugën "Dine Hoxha", menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin. Shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin M. V., dhe gjatë kontrollit fizik të tij, i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me krehër e municion luftarak”, tha policia.
Pas arrestimit dhe nisjes së hetimeve, dosja i kaloi prokurorisë së kryeqytetit për veprime të mëtejshme.