Një 29-vjeçar është arrestuar nga shërbimet e njësisë Shigjeta, pasi lëvizte me armë pa leje në makinë.
Mësohet se Leonardo Rakipllari, banues në Tiranë, kishte në çantën e krahut një pistoletë tip “Zastava”, brenda makinës së tij tip “Audi”.
Pistoleta që ju sekuestrua Leonardo Rakipllarit
Njoftimi i plotë:
Qarkullon në kryeqytet me armë zjarri pa leje, kapet në flagrancë dhe arrestohet nga shërbimet e njësisë “Shigjeta”.
Shërbimet e njësisë “Shigjeta” të Drejtorisë Vendore Tiranë në vijim të punës dhe në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në qytet si dhe për kapjen e ndalimin e shtetasve të cilët kryejnë vepra penale, gjatë ditës të djeshme kanë ushtruar kontrolle në rrugë të ndryshme të kryeqytetit, ku si rezultat i tyre u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
- Leonardo Rakipllari, 29 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Audi”, në rrugën “Isuf Elezi”, pasagjerit të mjetit, shtetasit Leonard Rakipllari, i është gjetur në çantën e tij të krahut, një armë zjarri e llojit pistoletë tip “Zastava”, të cilën e mbante pa leje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë dhe një krehër me 12 copë fishekë.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale ''Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit'', parashikuar nga neni 278/5, i Kodit Penal.