Shqiptarja.com dhe Report Tv mësuan se kjo është një ngjarje e përsëritur, pasi ky person ka shkatërruar dhe herë të tjera ambiente të ndryshe. Burime i thanë Report Tv se autori kishte shkatërruar po me sëpatë edhe një ‘Lloto Sport’, si dhe makina në rrugë.
Dhunuesi është vënë në prangat e policisë, por nuk dihet sa do të qëndrojë në qeli, pasi uniformat blu njoftojnë se ai është me probleme mendore. Po ashtu, bëhet e ditur se ky person nuk është i rrezikshëm për njerëzit, pasi objektiv i tij duket të jetë vetëm pajisjet në dyqane të ndryshme apo makinat.
Videoja e fundit, ku autori shfaqet në një dyqan me sëpatë në dorë, duke shkatërruar kompjuterët dhe tavolinat, është publikuar nga Olti Curri në ‘Facebook’, ku pamjet tregojnë qartë se objektiv i autorit nuk është shitësi, të cilin e nxjerr jashtë dhe më pas fillon të shkatërrojë zyrën.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale ku një shtetas shkatërron me sëpatë ambientet e një biznesi, ju informojmë se: Ngjarja ka ndodhur më datë 27.11.2017, në Laprakë, Rruga "Lord Bajron". Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë të Komisariatit nr.3, të cilët kanë konstatuar se një shtetas me sëpatë ka shkatërruar ambientet e brendshme të tre bizneseve private, të cilët ndodhen ngjitur me njëri-tjetrin. Grupi hetimor ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen a autorit, shtetasin F.Sh. 34 vjeç, banues në Tiranë.
Veprimet procedurale nga ana e uniformave blu janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë ku shtetasi i mësipërm u arrestua në flagrancë për veprën penale" Shkatërrimi i pronës" parashikuar në nenin 154 të Kodit Penal. Ju informojmë se njoftimi në lidhje me ngjarjen e mësipërme është raportuar nga Policia e Tiranës si edhe në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit në internet.
d.c./shqiptarja.com
VIDEO









