TIRANË- Një 42-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi ka shkatërruar traun e parkimit në një hotel dhe kundërshtoi policët. Po ashtu, 42-vjeçari ka dëmtuar automjet e efektivëve, ndërsa ata po përpiqeshin që ta neutralizonin.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20, të 18 dhjetorit në rrugën "Abdi Toptani". Menjëherë pas marrjes së njoftimit se një person kishte dëmtuar traun e parkimit të një hoteli dhe po kryente veprime të dhunshme, efektivët kanë shoqëruar autorin e dyshuar, A. Ll., 42 vjeç.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i tij dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.