Tiranë- Gjykata e Tiranës dha sot (19 Dhjetor) masën e sigurisë “arrest në burg” për 4 gazetarët e portalit online “Publik.al”, në pronësi të Naim Nokës, përfshi edhe djalin e e tij, Ergis Noka.
Tre të tjerët janë Drin Vjerdha, Kristofor Pandelejmoni dhe Mario Çerra.
Ata ranë në pranga tre ditë më parë (17 Dhjetor), nën akuzën për shpërndarje të lëndës narkotike sintetike kryesisht ekstazi dhe MDMA, të cilën e shisnin në zonën e ish-Bllokut në lokalet e natës dhe iu sekuestruan 300 tableta.
Gjithashtu në ambientet e zyrave u zbuluan edhe pajisje të ndryshme të përshtatshme për përpunimin apo trajtimin e lëndëve narkotike në mënyrë kimike, si; aspiratorë, portollamba, kabuj, tuba dhe pajisje të tjera.
Katër të dyshuarit punonin si gazetarë për portalin online në zonën e ish-Bllokut.
Lëndën narkotike të ekstazisë dyshohet se ata e siguronin përmes Kosovës dhe Serbisë. Çmimi i ekstazisë shitej 10 mijë Lekë me shumicë, kurse 1 tabletë e vetme kushtonte 30 mijë Lekë. Policia ra në gjurmët e tyre nëpërmjet metodave speciale si blerje të simuluara nga agjentët dhe vëzhgimeve në terren.