TIRANË- Pak para mesnate, në një dyqan lulesh në zonën e Tufinës në Tiranë, shpërtheu një sasi tritoli. Për pasojë, u shkaktuan dëme të vogla materiale.

I njëjti dyqan, 2 javë më parë, më 1 nëntor, kishte rënë sërish pre e një shpërthimi me tritol. Lënda plasëse ishte vendosur në tarracën e dyqanit të luleve. Edhe në atë rast, pati vetëm dëme materiale.

Në një intervistë për Report Tv, pronari, 65-vjecari Asllan Koçi, thotë se e ka një dyshim të fortë se kush mund të fshihet pas këtyre dy episodeve. Koçi dyshon se të dyja ngjarjet lidhen me borxhet e të birit nga lojërat e fatit dhe se i kanë kërkuar 24 milionë lekë të reja.

“Situata është shumë keq, kjo është hera e dytë. Prej djalit që luan bixhoz, më kanë marrë lekë, duan dhe 240 milionë. Përnatë kam qëndruar roje. Policia ka nisur kërkimet, por ende nuk e ka kapur”, thotë ai për Report Tv.

Policia tha në një njoftim zyrtar se ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit.

"Më datë 15.11.2026, rreth orës 23:15, në Tufinë, në një dyqan lulesh, në pronësi të shtetasit A. K., është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale", njoftoi Policia. 

Të dyja shpërthimet me tritol në muajin nëntor në këtë dyqan lulesh, janë bashkuar në një hetim. Në sajë të hetimeve dhe nga deklarimet e vetë pronarit, edhe dyshimet e policisë janë për konfliktet e djalit  me disa persona për çështje borxhi nga lojërat e fatit.