TIRANË- Një bankë e nivelit të dytë në Tiranë ra pre e një grabitje, por autori nuk e çoi dot deri në fund planin e tij pasi u arrestua nga policia në tentativë për tu larguar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:15 në zonën e Delijorgjit, tepër e frekuentuar në kryeqytet, ndërsa në bankë ka pasur të pranishëm edhe qytetarë të tjerë.

Bardhyl Fusha, 58 vjeç, u fut në bankë me një çantë në dorë, brenda së cilës mbante edhe një kallashnikov. Sipas dinamikës së zbardhur nga Report Tv, 58-vjeçari sapo është futur brenda ka nxjerrë armën nga çanta e zezë dhe ka qëlluar njëherë në dysheme. Më pas ai është drejtuar nga arka, ku mësohet se ka arritur të marrë 20 mijë euro dhe t’i fusë në çantë dhe ka tentuar të larohet.

Por, një qytetare e cila ndodhej në ambientet e brendshme të bakës, mësohet se ka lajmëruar policinë. Një patrullë me efektivë ka qenë shumë pranë vendin të ngjarjes dhe arriti ta kapë autorin në momentin kur po tentonte të largohej nga banka. Report Tv siguroi edhe videon nga momenti i arrestimit, pikërisht në derën e jashtme të bankës. Njëri prej policëve i kishte drejtuar armën autorit, ndërsa tjetri i vendos prangat.

"Rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi B. F., rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke, me qëllim vjedhjen e saj, duke qëlluar me armë zjarri, në dysheme. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar. 

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar në tentativë për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Autori i dyshuar është shoqëruar në Komisariat.  Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit.  Në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për rastin", njoftoi policia. 

Arma e përdorur për grabitjen është sekuestruar dhe brenda saj u gjetën edhe 20 mijë eurot që autori arriti të marrë nga arka e bankës. Dyshohet se kanë qenë edhe dy persona të tjerë të cilët e kanë ndihmuar të vërë në jetë planin për grabitjen e bankës, por kjo është një pistë që po verifikohet edhe nga grupi hetimor. Në fotot më poshtë, të siguruara edhe nga Report Tv, mund të shihni edhe kallashnikovin e përdorur nga autori dhe paratë e grabitura. Në çantën e tij dallohet edhe një karikator dhe fishekë të tjerë.

1770892661_armagrabitjes.jpg

Foto e kallashit të sekuestruar

 

1770895639_grabitjatiraneleket.jpg

Foto nga paratë e grabitura

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:07
VIDEO/ Njëri polic me armë në dorë, tjetri i vë prangat, momenti kur arrestohet autori që tentoi të grabisë me armë bankën në Tiranë

Report Tv ka siguruar videon e momentit kur arrestohet autori Bardhyl Fusha, i cili tentoi të grabisë me armë një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Siç shihet edhe në pamje, autori është i pamaskuar dhe një polic i qëndron përballë me armë në dorë, ndërsa tjetri i vendos prangat.