Edhe pse fundjavë në tregun e fruta-perimeve nuk gjen më shumë njerëz si dikur  duke bërë pazar.

Report Tv shkoi sot në tregun pranë Uzinës Dinamo. Këtu tregtarët ankohen për mungesë të fuqisë blerëse kurse qytetarët ankohen për çmime të kripura që shpesh herë për ta bëhen  të papërballueshme.

“Nuk janë të përballueshme. Domatja psh shkon deri 150 lekë.”

“Ne pensionistët, të dënuar ishim në kohën e Enverit , të dënuar mbetëm, të dënuar do mbesim. Me 15 mijë lekë pension do të vij unë këtu kot. Dola kot me ec me heq mendjen.”

“ Frutat , zarzavatet janë të shtrenjta. Patatja , domatja , qepa, këto i kam të përditshme unë. Shumë të shtrenjta”

“Unë burrë dhe grua jemi në shtëpi dhe e përballojmë. Kam ndryshim nga të tjerët se unë jam kuzhinier dhe konsumoj te puna. Në shtëpi me gruan jam.”

“Qytetarët normal I duan sa më lirë”- tha një tregtar.

Më shumë ankesa qytetarët kanë për çmimin e gështenjave i cili varion 400-500 lek/kg . Disa prej tyre thonë se me këto çmime ende nuk i kanë provuar ato.

“Gështenjat janë katastrofë. Nuk i kam provuar për këtë vit.”

Më në vështirësi për të përballuar koston e jetesës janë pensionistët. Me rritjen e çmimeve ata tregojnë se kanë reduktuar konsumin e disa produkteve ushqimore, pasi në fund të muajit llogaria nuk iu del.