Në shtator të vitit 2025, Sabah Nuzi u mbyll në qeli me një akuzë të rëndë mbi shpinë, atë të vrasësit me pagesë. 50 mijë euro e akuzon SPAK, se mori 33-vjeçari për të vrarë dhe groposur Klevis Lleshin në vitin 2020, një bashkëpatriot nga Burreli, vetëm 22 vjeç. Ishte erozioni që nxori në sipërfaqe eshtrat e të riut, duke çuar hetuesit e Posaçëm në gjurmët e ekzekutorit dhe porositësit, me lëshimin e 4 urdhër arresteve në shtator të 2025-ës.
Prej atëherë Sabah Nuzi është në paraburgim në Fushë-Krujë për një sërë veprash të rënda penale, vrasje për gjakmarrje, armë pa leje, fshehje e kufomës dhe grup i strukturuar kriminal.
Megjithatë, hekurat e qelisë nuk e penguan Sabah Nuzin të ruajë lidhjet me anëtarët të organizatës kriminale dhe të rëndojë edhe më shumë pozitën e tij penale. Është Policia e Tiranës që e akuzon 33-vjeçarin se ka porositur shpërthimin me tritol në një makinë në kryeqytet, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 10 marsit.
Sipas bluve të Tiranës, shpërthimi me tritol, i cili la pas vetëm dëme materiale është realizuar nga anëtarët e një grupi kriminal, me porosinë e ardhur nga burgu i Fushë-Krujës, nga Sabah Nuzi.
Burime nga policia thonë se e gjitha ka nisur për borxhe që burojnë nga prishja e pazareve të drogës. Sabah Nuzi pretendonte se Oltjon Klosi nuk i kishte shlyer 15 mijë euro të marra në Spanjë dhe pasi borxhi u refuzua, nga qelia doli urdhri për t’i vënë tritol. Shtatë të dyshuar u arrestuan.
Sipas policisë, tritoli në makinë është vendosur nga Jurgen Gjonaj, 32 vjeç. Tre të tjerë nga grupi, Renato Balla, 25 vjec, Kristjan Ahmerama 24 vjec dhe Eklips Leti, 27 vjeç e kanë ndihmuar duke i siguruar tritolin, fotot edhe vendndodhjen e automjetit, biçikletën me të cilën do lëvizte, si dhe një banesë se ku të strehohej pasi të realizohej shpërthimi. Ata akuzohen për shkatërrim të pronës me eksploziv e kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë tre anëtarë të tjerë, Glentjan Kojtari, 29 vjec, Dorjan Hamolli 34 vjec dhe Geris Molla, më i vogli i grupit, 19-vjeçar, e kanë transportuar me makinë autorin e vendosjes së tritolit, Jurgen Gjonaj. Ata akuzohen për përkrahje të autorit të krimit
Vrasja dhe groposja e Klevis Lleshit, ngjarje për të cilën Sabah Nuzi ndodhet në qeli si ekzekutor, dyshohet se u porosit nga Aurel Hoxha si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij në Londër, nga Arben Lleshi, edhe ky i vrarë në burgun e Peqinit, krim i marrë përsipër nga një i dënuar.
Grupi kriminal të cilit hetuesit e posaçëm i vënë në krye Aurel Hoxhën, akuzohet edhe për pastrim të parave të drogës përmes investimeve të dyshimta në Shqipëri dhe jashtë saj.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Gazetari i Report Tv Sokol Dema ka siguruar foton e Sabah Nuzit, i cili porositi vënien e tritolit në automjetin e Oltjon Klosi. Nuzi është i burgosur në burgun e Fushë-Krujës i akuzuar si vrasës me pagesë, e një sërë veprash të tjera kriminale. Sabah Nuzi dyshohet se ka ekzekutuar 22-vjeçarin Klevis Lleshi më 2020 për llogari të Aurel Hoxhës.

Sabah Nuzi kishte konflikt prej disa kohësh me Oltjon Klosin për shkak të një shume prej 15 mijë eurosh, raporton gazetari i Report Tv Sokol Dema. Borxhi është marrë jashtë shtetit, në Spanjë, ku sipas burimeve pranë policisë dyshohet se janë para të pazareve të drogës.
Klosi pretendonte se e kishte shlyer borxhin, por Nuzi nga ana tjetër pretendonte se i dëmtuari i detyrohet edhe 15 mijë euro. Pasi Klosi ka refuzuar për të paguar shumën, Sabah Nuzi ka urdhëruar grupin e të arrestuarve që ti vendosin Oltjon Klosit tritol te makina.

Gazetari i Report Tv Sokol Dema ka siguruar foton e 32-vjeçait Jurgen Gjonaj, personi i cili dyshohet se ka vendosur dhe shpërthyer tritolin në automjetin e Oltjon Klosit. Gjonaj është ndihmuar nga 6 persona të tjerë, ndërsa lëndën plasëse e vendosi për llogari të Sabah Nuzit.

Sabah Nuzi dyshohet se është porositësi i tritolit që iu vendos automjetit të 36-vjeçarit Oltjon Klosi më datë 10 mars në kryeqytet. Nuzi është arrestuar më 26 shtator të vitit të kaluar i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës, porositësi i vrasjes së 22-vjeçarit Klevis Lleshi. Sabah Nuzi ka luajtur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje.
Nuzi rezulton me precedentë të theksuar kriminale. Në vitin 2020 u arrestua nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar një person. Edhe më herët, në vitin 2012, kur ka qenë krejt i ri vetëm 18 vjeç, është prangosur për plagosjen e 3 personave me pistoletë.
Aktualisht Nuzi ndodhet në burgun e Fushë-Krujës i akuzuar për veprat penale “Vrasje për gjakmarrje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja ose asgjesimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Organizata kriminale”.
Komente










