Një 21-vjeçare ka denoncuar në polici pronarin e vendit ku ishte e punësuar, M. F., 48 vjeç me kombësi të huaj. Ajo e akuzon 48-vjeçarin se ka kryer marrëdhënie seksuale me të pa dëshirën e saj në banesën e këtij të fundit më datë 1 dhjetor 2025.

48-vjeçari tashmë është ndaluar nga policia ndërsa me vete i është gjetur një mjet prerës.

Sipas 21-vjeçares, ai e ka shantazhuar se do t’i tregonte prindërve të saj me qëllim që të vijonin të kryenin marrëdhënie. E reja ishte punësuar prej 48-vjeçarit si dizanjuese për bizhu, punë që kryhej online për llogari të 48-vjeçarit, në banesën e tij të marrë me qira në Tiranë, në rrugën “Bogdanëve”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:

-ndaluan shtetasin e huaj M. F., 48 vjeç, pasi një 21-vjeçare ka kallëzuar se ishte punësuar prej tij si dizajnuese për bizhu, punë që kryhej online për llogari të 48-vjeçarit, në banesën e tij të marrë me qira në Tiranë, në rrugën “Bogdanëve”. Sipas kallëzimit, më datë 01.12.2025, ndërsa ndodhej në këtë banesë për të ushtruar aktivitetin e punës, ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Gjithashtu, sipas saj, marrëdhënia ka vijuar edhe më pas, pasi ai e ka shantazhuar se do t’i tregonte familjes së saj. Gjatë kontrollit fizik ndaj 48-vjeçarit iu gjet edhe një mjet prerës”, thuhet në njoftimin e policisë.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë