TIRANË - Lokali, ku mëngjesin e kësaj të hëne u vendos lëndë eksplozive në Tiranë rezulton të jetë në pronësi të vëllezërve Allushi, por i marrë me qira nga Jetmir Shurdhi.
Ky i fundit, me profesion inxhinier IT mësohet se është përkthyes i muxhahedinëve iranianë që janë strehuar në kampet shqiptare, ndërsa po ashtu punon me kohë të pjesshme në Shërbimin Informativ Shtetëror.
 
Shpërthimi ndodhi rreth orës 04:00 të 14 marsit pranë vendit të njohur me emrin Ura e Qeroses në rrugën “Myslym Keta” në Tufinë dhe pati vetëm dëme materiale.
 
Por pavarësisht se policia e ka konfirmuar zyrtarisht, Leonard Allushi, një prej vëllezërve, mohon të ketë ndodhur ndonjë shpërthim. Policia e cila ka nisur hetime në disa pista dyshon që motiv i kësaj ngjarje të jetë konkurrenca apo çështje pronësie, megjithatë hetimet e mëtejshme pritet të hedhin dritë mbi shkaqet dhe autorëve.
 
Pranë lokalit të vëllezërve Allushi ndodhet po ashtu një lavazh dhe një pikë riparimi automjetesh. Ato janë në pronësi të Leonard Allushit e vëllezërve të tij, ndërsa një pjesë e lokalit dhe lavazhi janë dhënë me qira tek Jetmir Shurdhi.
 
 Shpërthimi i mëngjesit të djeshëm është i treti në kryeqytet që prej të shtunës në orët e para të mëngjesit. Me 12 mars në Bathore, një sasi eksplozivi shpërtheu dhe shkatërroi veturën e efektivit Dilaver Shtrezit 53 vjeç, efektiv i komisariatit të policisë nr.3. Dyshimet e policisë për rastin lidhen me një konflikt për motive banale, ndërsa po verifikohet edhe një konflikt i mundshëm për shkak të profesionit si efektiv policie.
Rasti i dytë, i përket mëngjesit të të dielës, në rrugën “Sali Butka”, kur një sasi eksplozivi shpërtheu në një garazhd të një pallati. Hetuesit thanë se eksplozivi ishte vendosur në hyrjen e garazhdit të Arjan Zikës, ndërsa ky i fundit ndodhet në Itali.

 
Redaksia Online
(u.s/Shqiptarja.com)