TIRANË- Biznesmeni Eduard Reçi u vra rreth orës 23:00 të së mërkurës, (13 nentor 2024) poshtë pallatit ku jeton, të cilin e ka ndërtuar vet, në rrugën “Gjeneral Nikols” në Tiranë, përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë.  

52-vjeçari me origjinë nga Dibra mori një tek plumb që i përkshkroi tej për tej në kokë dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës rreth orës 4 të mëngjesit.  Report Tv siguron foton e biznesmenit të rrëzuar përtokë në mes të rrugicës.

Grupi hetimor ka sekuestruar kamera sigurie të bizneseve pranë, kryesisht bar kafe, por për shkak të errësirës deri më tani është parë e vështirë të kapet pamje e autorit ose autorëve. Nga mungesa e pamjeve filmike të autorëve, hetuesit po ngrenë dyshime se plumbi mund të jetë lëshuar nga lartësia, nga ndonjë objekt rreth pallateve, thonë burime nga policia.

Plumbi i gjetur në vendngjarje, nuk i con drejt dyshimeve që arma të ketë qenë snajper. Në vendngjarje nuk është gjetur gëzhojë. Grupi hetimor po punon për të hapur kamera në distancë me shpresë se mund ta identifikojë autorin/ët e dyshuar.

Por pamjet kanë fiksuar Eduard Recin teksa ecën, dhe bie në tokë pas një të shtëne, zhurma e së cilës dëgjohet edhe në disa kamera sigurie që regjistrojnë me zë.

Në pyetje janë marrë familjarët e tij, të cilët kanë mohuar që të kenë dijeni përplasje apo konflikte të Eduard Reçit me persona të tjerë. Vite më parë, burimet thonë se Reçi ka qenë në krye të një drejtorie të SHISH në vitin 1996, por autoritetet ende nuk janë orientuar drejt vrasjes për shkak të kësaj detyre që ai ka mbajtur. Pas vitit 2000 ai ishte marrë me biznes.

Burime thonë se Reçi me firmën “ELGM” ka ndërtuar edhe disa pallate të tjera në Tiranë. Mediat shkruajnë se para disa kohëve viktima kishte bërë kallëzim për shkak të një konflikti pronësie në zonë për vetëgjyqësi por çështja nuk ishte filluar për mungesë elementësh.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:43
Atentati në Tiranë, Report Tv siguron foto pak momente pas vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi! Dyshohet se autori e qëlloi nga lartësia

1731581391_eduartreci.jpg

Gazetari i Report Tv dhe Shqiptarja.com, Sokol Dema siguron foto pak momente pas vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi.

Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë autori nuk shfaqet në momentin e vrasjes.

Eduard Reçi  është duke ecur bie direkt në tokë pas vetëm një të shtëne. Për këtë hetuesit kanë dyshime se autori të ketë qëlluar nga lartësia dhe më pas të jetë larguar pa gjurmë, 

Deri tani nuk ka asnjë shenjë të tij dhe grupi hetimor po punon për të hapur kamera në distancë me shpresë se mund ta identifikojë.

Shqiptarja.com dhe Report Tv siguron momentin kur Eduard Reçi ka rënë në tokë i plagosur rëndë. 52 vjeçari ndërroi jetë në spital sot në mëngjes. 

 

Ora 10:23
Tiranë/ Ky është biznesmeni i ndërtimit që u ekzekutua mbrëmë me plumb në kokë, agjentët e krimeve kthehen në vendin ku u vra Eduart Reçi

Agjentët e krimeve të DVP Tiranë janë kthyer në vendngjarje, aty ku u ekzekutua Eduart Reçi.  Ndërkohë gazetari i shqiptarja.com e Report Tv, Sokol Dema  ka siguuruar foton e tij. Eduart Reçi nuk i mbijetoi dot plagës së rëndë, pasi predha e plumbit kishte përshkuar kokën tej për tej, teksa u dërgua te Spitali i Traumës. Ngjarja ndodhi rreth mesnatës së djeshme, në afërsi të Fakultetit Ekonomik në Tiranë, aty ku kishte ndërtuar një nga pallatet, në rrugën 'Faik Konica'. 52-vjeçari ishte pronar i kompanisë ELGM, dikur ka punuar si drejtor edhe në SHISH. Merren në pyetje familjarët.

1731576166_eduartreci.jpg

Foto: Eduard Reçi

 

Ora 08:40
Vrasja e biznesmenit të ndërtimit, Policia sekuestron kamerat, dëgjohet e shtëna dhe rënia e viktimës! Mister autorët, Eduart Reçi ish-drejtor në SHISH

1731539594_Screenshot6.jpg

Policia e Tiranës, mbrëmë në vendngjarje

Grupi hetimor që po heton vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi ka sekuestruar kamerat e sigurisë.

Në pamje dëgjohet një e shtënë dhe menjëherë 52-vjeçari bie përdhe, pasi plumbi e kap në kokë. Fatkeqësisht pamjet e sigurisë nuk kanë filmuar autorin ose autorët, për shkak të errësirës.

Gazetari i Report TV, Sokol Dema, informon se në pyetje janë marrë familjarët e tij, të cilët kanë mohuar që të kenë dijeni përplasje të Reçit me persona të tjerë.

Eduart Reçi prej disa vitesh merrej me firmën e tij të ndërtimit, ndërkohë më herët ka qenë drejtor në institucionin e SHISH.