TIRANE - Pakujdesia e një të riu ka alarmuar uniformat blu ne Tiranë. Ai ka harruar valixhen e tij në rrugën “Dervish Hima”, rrugë që lidh stadiumin “Qemal Stafa” me Rrugën e Elbasanit, fare pranë ambasadës amerikane.

Qytetarët kanë parë valixhen e dyshimtë dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Efektivë të uniformave blu kanë bllokuar kalimin e automjeteve dhe kalimtarëve në këtë rrugë, ndërsa kanë kërkuar ndihmën e forcave xheniere për të konstatuar nëse bëhej fjalë për një bombë, siç ishin dyshimet e para.

Ankthi ka zgjatur për minuta të tërë derisa ekspertët xhenierë kanë bërë shpërthimin e komanduar të valixhes.

Një ndër efektivët xhenierë është afruar dhe ka hapur valixhen dhe i lehtësuar i ka bërë shenjë kolegëve të tij dhe uniformave blu se ishte një alarm fals. Më pas ka hapur valixhen e mbushur vetëm me rroba.

Pas këtij moment i riu i shoqëruar dhe nga një vajzë u është afruar uniformave blu duke dëshmuar se ishte valixhja e tij dhe se e kishte harruar atë.

Ngjarja u raportua rreth orës 14.20 minuta kur policia ka marrë denoncimin nga qytetarët që kishin parë valixhen ngjyrë blu në trotuarin e rrugës “Devish Hima”. Gjithçka zgjati rreth 30 minuta, të mbushura me ankth për policinë por edhe qytetarët, por fatmirësisht u mbyll me një alarm të rremë, dhe ndoshta dhe disa këshilla për të riun, që as e kishte menduar se një pakujdesi e tij do të shkaktonte këtë situatë në mes të kryeqytetit.

(Gre.M/Shqiptarja.com)