Brian Spahiu, djali 3 vjeçar, ndërroi jetë nga mbidoza e anestezisë. Ky është rezultati i akt-ekspertizës së përfunduar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, të depozituar pak kohë më parë në Prokurorinë e Tiranës.

“Shkaku i vdekjes ka qenë dhënia e lëndës anestetike që ka sjellë vuajtjen qelizore të thellë me mekanizmin e insuficiencës multiorganore të parikthyeshme”, thuhet në akt-ekspertizë

Ndërkohë, mësohet se prokuroria e Tiranës ka kërkuar ekspertim të dytë të rezultateve të autopsisë për shkaqet e vdekjes së 3-vjeçarit, i cili humbi jetën në fillim të tetorit, pas një ndërhyrje kirurgjikale në 14 dhëmbë në klinikën e mjekut Roland Xhaxho. Mbetet e paqartë pse akuza ka kërkuar riekspertim, por burimet thonë se janë marrë në pyetje edhe ekspertët mjeko-ligjorë që kryen aktin e parë, sipas të cilëve vdekja ka ardhur nga mbidoza e narkozës. Akt-ekspertiza e dytë pritet të dalë në fillim të javës së ardhshme, duke iu bashkëngjitur provave të tjera të mbledhura gjatë hetimeve.

I vogli, Brian Spahiu, i gjeti vdekjen në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor, 3 ditë pas ndërhyrjes në klinikën private Splendent, brenda ambjenteve të spitalit privat të Zemrës në Tiranë.

Të sekuestruara janë pamjet filmike të klinikës, kartelat e plota të ndërhyrjes kirurgjikale dhe disa kompjuterë, të cilët mendohet se kanë ndihmuar në hetime. Familjarët e të voglit pretendojnë se 3-vjeçari ka dalë nga klinika i pandërgjegjshëm për shkak të narkozës, gjë që mjeku Roland Xhaxho e ka mohuar publikisht.

Babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho janë në hetim në gjendje të lirë nga akuza e Tiranës për veprën penale “Neglizhenca ne trajtim mjekësor”, që konsiderohet kundërvajtje penale dhe si e tillë në fazën fillestare nuk pranon masë sigurisë “arrest në burg”.