Tiranë, vidhnin të dhënat e kartave bankare dhe blinin online, 2 në pranga dhe 5 në hetim! 33 mln lekë dëm vetëm në një kompani celulare (SKEMA)

TIRANË- Një grup i strukturuar i cili vidhte të dhënat e kartave bankare dhe me to kryente blerje online, është shkatërruar duke çuar në pranga 2 persona dhe 5 të tjerë janë shpallur në Kërkim. Report Tv mëson se në pranga kanë rënë Qirjako Topi e Igen Basha, teksa hetimet nisën pas kallëzimit nga një kompani celulare, të cilës iu shkaktua një dëm prej 33 mln lekë. Topi është kapur në flagrancë teksa po merrte porosinë e kryer online.

Skema e mashtrimit Referuar burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, Qirjako Topi në bashkëpunim me Igen Bashën dhe personat e tjerë të vënë nën hetim shqiptarë dhe të huaj, kanë përdorur të dhëna kartash bankare të cilat dyshohet se janë vjedhur nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të vendin dhe blinin telefona celularë.

Hetimet Hetimet nisën pas kallëzimit nga një kompani celulare, të cilës iu shkaktua një dëm prej 33 mln lekë. Nga ana tjetër, dyshimet janë se dëme të konsiderueshme kanë dhe kompani të tjera të cilat shesin produkte online dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim. Ndërkohë 5 persona të tjerë janë vënë në hetim, 2 prej të cilëve të huaj pasi akuzohen si bashkëpunëtorë në këtë skemë. Në kuadër të këtij operacioni, u kontrolluan disa banesa dhe ambiente dhe me cilësinë e provës materiale u sekuestruan telefona celular, laptopë dhe dokumente, fatura të ndryshme bankare etj. 

Njoftimi i policisë Finalizohet operacioni policor i koduar “SMARTPHONE”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik. Operacioni  nga Njësia për  Hetimin e  Krimeve kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen 5 shtetas të tjerë, për vjedhje dhe përdorim të të dhënave të kartave bankare.   Duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar gjatë katërmujorit të parë të vitit 2021, në bazë të informacioneve që dispononte Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pasi ka marrë kallëzimin nga një kompani e telefonisë së lëvizshme, ka kryer hetime të plota dhe të shpejta për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.    Pas kryerjes së hetimeve nga Njësia për  Hetimin e  Krimeve Kibernetike ka rezultuar se një shtetas, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë përdorur të dhëna kartash bankare të cilat dyshohet se janë vjedhur nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të përfituar financiarisht duke blerë pajisje të telefonisë së lëvizshme.    Nga materialet e deritanishme ka rezultuar se vetëm në një kompani këta shtetas kanë kryer një dëm prej rreth 33.000.000 lekësh, ndërkohë dyshimet janë se dëme të konsiderueshme kanë dhe kompani të tjera të cilat shesin produkte në rrjet (online) dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim. Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka organizuar punën duke kapur në flagrancë, gjatë marrjes së pajisjes, shtetasin Q. T., 21 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.     Po ashtu, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore u ndalua dhe shtetasi I. B., 18 vjeç,  i cili dyshohet si bashkëpunëtor për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik“. Veprimet hetimore vazhduan dhe në lidhje me persona të cilët kanë furnizuar apo kanë bashkëpunuar për sigurimin e të dhënave të kartave bankare, nga ku rezultoi se këta shtetas kanë bashkëpunuar dhe me shtetasit:   E. H., 21 vjeç, E. Sh., 19 vjeç, Dh. T., 23 vjeç, M. M.,  33 vjeç (shtetas i huaj) dhe S. S, 26 vjeç (shtetas i huaj). Të  pestë këta shtetas po procedohen penalisht, pasi dyshohen si bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.    Gjithashtu, nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier u kontrolluan disa banesa dhe ambiente dhe me cilësinë e provës materiale u sekuestruan telefona celular, laptopë dhe dokumente, fatura të ndryshme bankare etj.  Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.
 Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik.

 

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë

Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë