TIRANE - Olsi Bibollari, pronar i një restoranti dhe aksioner në një bar kafe në Tiranë, nuk u mjaftua me 50 mijë euro borxh, që i njohuri i tij, doktor ia dha me kontratë.

Disa ditë më parë, ishin drejtuar të dy tek noteri, 38-vjeçari, baba i dy fëmijëve, dhe mjeku për të firmosur kontratën që njeh borxhin mes tyre.

Teksa janë kthyer sërish bashkë me automjetin e Olsi Bibollarit, doktori ka harruar në automjet çelësin e apartamentit. Sipas burimeve, 38-vjeçari nuk ka humbur kohë dhe sapo është ndarë me doktorin dhe është siguruar që nuk iu drejtua banesës, ka shkuar ne apartamentin e tij te Komuna e Parisit, ka hapur derën me çelës, dhe ka marrë 15 mijë euro.

Kur ka vënë re mungesën e parave, doktori ka bërë denoncim në polici dhe pasi kanë hapur kamerat është arritur të identifikohet se personi që ika hyrë në shtëpi, është miku të cilët i kishte dhënë 50 mijë euro borxh.

Policia thotë se në shtëpinë e autorit, sekuestroi shuma parash të dyshuara nga ato që u vodhën në banesën e kardiologut. Po ashtu u sekuestrua një automjet si dhe veshjet që autori ka përdorur gjatë momentit kur ka hyrë për të vjedhur në shtëpinë e doktorit, ngjarje e ndodhur më 25 gusht.

Nga një kërkim në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Olsi Bibollari rezulton të jetë pronar i Restorant Ogi, dhe aksioner tek një bar Kafe, “Vok”, ndërsa tashmë do të hetohet për veprën penale të vjedhjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:56
Detaje të reja nga grabitja e 15 mijë eurove te “Komuna e Parisit”, ja si hajduti vodhi shtëpinë mjekut

Detaje të reja janë zbardhur nga grabitja që është bërë ditën e sotme në Tiranë, ku një 38-vjeçari Olsi Bibollari mori 15 mijë euro në një banesën e një mjeku. 

Burime për Report Tv, bëjnë me dije se 38 vjeçari dhe mjeku kanë pasur lidhje miqësore, ku para një jave doktori i ka dhënë 50 mijë euro borxh autorit të vjedhjes, procedurë që e kanë mbyllur me dokumentacion në noteri.

Por, pasi janë takuar doktori ka harruar çelësinë e apartamentit në makinën e Bibollarit, të cilin ky i fundit e ka marrë dhe ka shkuar në shtëpinë e mjekut, e ka hapur dhe ka marrë 15 mijë euro.

Denoncimin e ka bërë vetë doktori në polici dhe pasi kanë hapur kamerat dhe provat e tjera është identifikuar se autor i vjedhjes është Olsi Bibollari.